Me shumë mundësi askujt nuk i kishte vajtur mendja që çmimin si fotografia më e mirë e vitit do ta fitonte ajo e vrasjes së ambasadorit rus në Turqi. Ka qenë fotoreporteri Burhan Ozbilici, i cili rrugës për në shtëpi kishte vendosur të shkonte për të bërë disa fotografi nga takimi. Ai mbërriti në momentin e fjalimit të Andrey G. Karlov, kur për pak çaste agjenti 22-vjeçar i sigurisë, Mevlut Mert Altintas, hapi zjarr. Fotoreporteri Ozbilici nuk ishte më shumë se 5 metra nga vrasësi, por vendosi të mos largohej. “Kisha shumë frikë, por nuk e lashë veten të më zinte paniku”, shprehet 59-vjeçari në një intervistë telefonike. “Ky është profesioni dhe më duhet të bëj punën edhe nëse më qëllojnë apo më vrasin. Në ato momente u përpoqa të përfaqësoj të gjithë gazetarët e pavarur”, shprehet fituesi i çmimit të parë për veprimin e tij të guximshëm. “World Press Photo Contest” ka shkaktuar shpesh polemika midis përzgjedhësve e sigurisht ky vit nuk mbetet prapa, ama ajo çka fotoja fituese përfaqëson e ndez më shumë debatin. “Kjo fotografi e shkrepur në një event brutal nga një fotograf trim ka një forcë të madhe vizuale”, jep mendimin e tij Lars Boering, drejtori i kompeticionit, i cili shton se një imazh i tillë përfaqëson më së miri traditën 63-vjeçare të konkursit të fotografisë. Gjithsesi, ata që kanë dalë kundër kësaj përzgjedhjeje janë shprehur se duke e reklamuar një gjest terrorist, i jep më shumë fuqi mesazhit të autorit.