Kur u përballën me fotografitë e personave të shëndetshëm dhe të sëmurë, të anketuarit me saktësi të lartë (në 81 për qind të rasteve) i veçuan ata persona që ishin me të vërtetë të sëmurë, njoftoi kështu ekipi shkencor i Institutit suedez Karolinska në Stokholm
Shkencëtarët në Suedi kanë zbuluar se në bazë të fotografisë së fytyrës në më shumë se 80 për qind të rasteve mund të konstatohet nëse një person është i sëmurë apo jo. Ata e konkluduan këtë në bazë të një studimi në të cilin të anketuarve u dhanë fotografi të personave të ndryshëm me pyetjen nëse besonin se bëhej fjalë për njerëzit e sëmurë apo jo.
Rezultatet kanë treguar se për njerëzit, sipas të gjitha gjasave, është shumë e thjeshtë të konstatojnë nëse një person në foto është i sëmurë dhe nëse duhet të shmanget, transmeton koha.net.
Kur u përballën me fotografitë e personave të shëndetshëm dhe të sëmurë, të anketuarit me saktësi të lartë (në 81 për qind të rasteve) i veçuan ata persona që ishin me të vërtetë të sëmurë, njoftoi kështu ekipi shkencor i Institutit suedez Karolinska në Stokholm.
Ekipi u drejtua nga neuroshkencëtari John Axelsson dhe i infektoi vullnetarët me bakterin e.Coli, i cili shkakton reagim inflamator, ndërsa grupi i kontrollit të njerëzve e mori vetëm një injeksion placebo.
Dy orë pas marrjes së injeksionit, vullnetarët u fotografuan normalisht dhe pas kësaj fotografitë iu treguan pjesëmarrësve të hulumtimit. Shkencëtarëve, përveç njohjes gjithashtu u interesonte të dinin se cilat janë karakteristikat specifike që i ndihmuan të anketuarit që të vendosin dhe të përcaktojnë nëse personat në fotografitë e treguara janë vërtet të sëmurë apo të shëndoshë.
Në raundin e dytë të hulumtimit ata kaluan kohë duke u fokusuar në simptomat vizuale të sëmundjes në fytyrat e njerëzve.
Kjo i përfshiu buzët e zbehta dhe tenin e zbehtë, lëkurën e vijëzuar ose me shkëlqim, këndet e ulura të buzëve, dhe sytë e fryrë ose të skuqur. Me përjashtim të lëkurës me shkëlqim, të gjithë të pranishmit në hulumtim i identifikuan faktorët e mbetur si vendimtar në bazën e të cilëve i njohën personat e sëmurë në fotografi.
Studiuesit në punimin e publikuar në Proceedings of the British Royal Society B paralajmëruan se mbështetja ekskluzivisht në analizën vizuale gjithsesi mund të jetë mashtruese.
Për shembull, fytyrat e personave të lodhur ose të pikëlluar mund të ngatërrohen gabimisht me ato të të sëmurëve. Ky fenomen përputhet me studimet e tjera të mëhershme të cilat sugjerojnë se në shoqëri shmangen shumë njerëzit e lodhur.