Në sipërfaqen e akujve të pashkrirë të dobësive tona, vazhdon të rrëshqasë, nga qeveria në qeveri, nga mandati në mandat, hutueshëm dhe frikshëm, selektimi negativ, si kriter valorizues i (pa)aftësive tona
Nga Emin AZEMI
Deri në zgjedhjet e radhës (të parakohshme apo të rregullta) do ta kemi këtë përbërje të re të kabinetit të ri qeveritar. Kryeministri Zaev doli me emrat e rinj të ministrave, duke e përfshi edhe veten në listën e ‘prurjeve’ më të reja.
Është herët ta (para)gjykojmë performansën e ministrave të rinj, por nëse nisemi nga ambicia dhe motivi për t’i bërë këto ndryshime, nuk shohim ndonjë arsye të fortë që do të na bindte se kryeministri Zaev e ka shumë seriozisht.
Gjithmonë kur bëhen riformatime të tilla, njerëzit e kanë të paqartë një dilemë, e cila edhe aktualisht mbetet e pasqaruar: nëse ndryshimet në kabinetin qeverisës bëhen për nevojat që ka vendi, apo për plotësimin e ambicieve të brendshme partiake-klanore?
Nëse është e para, kryeministri do të duhej të na jepte arsyetime shteruese se me çfarë cilësish profesionale vjen ministri i ri Bujqësisë, bie fjala, kuadër ky që qenka kaq i shumëkërkuar për të qenë në listën e ekzekutivit të ri.
Pastaj, çka ndodhi që kryeministri tash i tutje do të jetë edhe shef i Financave. Pse ai mendon se ministri aktual i Shëndetësisë, ta zëmë, nuk duhet ndërruar?
Ose, ministri ‘i ri’ që vjen në krye të Ministrisë ( së re) të Sistemit Politik, me cilat përgatitje politologjike e analitike po troket në derën e madhe të temave politike sistemore, për të qenë pikërisht ai kuadri më adekuat në krye të kësaj ministrie?
Por, cilat janë afinitetet kulturologjike dhe përgatitjet profesionale të ministrit të ri të Kulturës, që mund të jenë në harmoni të kërkesave dhe nevojave që ka kjo ministri dhe komuniteti i artistëve, krijuesve e segmenteve të ndryshme të prodhimtarisë kulturore, me politikat kulturore që kërkojnë strategji dhe vendosmi për t’i zbatuar?
Dhe, mbeti e pasqaruar edhe një dilemë: Çka ndodhi me Ministrinë e Pushtetit Lokal që iu mor RDK-së dhe iu dha Partisë Liberale Demokratike?
Sikur riformatimi të ndiqte një udhë tjetër, një metodologji që do të nxirrte interesat e vendit në plan të parë, para atyre të partisë, atëherë kryeministri Zaev do të bënte të paktën një konsultim më të gjerë brenda partisë së tij, por edhe brenda partnerëve (bashkë)qeverisës. Askush nuk mund të na bindë se pikërisht emrat e propozuar që do të jenë ministra të rinj në kabinetin qeverisës, janë më të mirët brenda partive, por edhe brenda komunitetit intelektual e profesional të këtij vendi.
Ka të ngjarë që me këtë përbërje të re, ekzekutivi i vendit të bëjë edhe ndonjë mrekulli, mirëpo nuk duhet harruar se si shtet ndodhemi në një ‘teiming’ mjaft specifik, kur nga ne kërkohen reforma të thella, përgjegjësi institucionale për çdo vendim politik, dhe mbi të gjitha, nga ne kërkohet harmonizim i një mori ligjesh vendore me legjislativin e BE-së.
Që gjërat të mos duken krejt të thjeshta siç mundohen ti shohin disa politikanë tanë, harmonizimi duhet të ndodhë edhe në sferën mendësisë, atje ku krijohet vetëdija e re, sjellja e re, kultura e re e vendimmarrjes.
A janë këto foto të reja të vendosura frik e frik në një kornizë të vjetër, apo ende është herët të bëhemi kritikues për punët që ende s’kanë filluar. Parimisht, çdo ministër ka të drejtë të konsumojë kohën e paraparë për të realizuar programin e tij, por te ne e gjithë kjo ‘fiskulturë’ ministrore nuk shoqërohet me kurrfarë llogaridhënie, që do të ishte alfa dhe omega e përcaktimit të vlerave nëse dikush e meriton apo jo të jetë në krye të një digasteri qeveritar.
Nëse mungon llogaridhënia, atëherë askush nuk duhet të ketë iluzion që gjithë këto rokada brendaqeveritare bëhen për ndonjë çështje madhore. Nëse mungon llogaridhënia, atëherë humbet kuptimi i garës në mes të më të mirëve. Nëse mungon llogaridhënia, gara bëhet në mes të dëgjueshmëve dhe jo më të mirëve të partisë.
Në sipërfaqen e akujve të pashkrirë të dobësive tona, vazhdon të rrëshqasë, nga qeveria në qeveri, nga mandati në mandat, hutueshëm dhe frikshëm, selektimi negativ, si kriter valorizues i (pa)aftësive tona.
Dhe në fund, ka të ngjarë që të ngelim të gjithë duke rrëshqitur në akujt e moskonsolidimit tonë si shoqëri, si komb e si intelektualë… (koha.mk)