Shkup, 28 maj – Gazeta KOHA ka arritur të sigurojë foto të reja të spiunit serb, Goran Zhivaljeviq, brenda sallës plenare të Parlamentit natën e përgjakshme të 27 prillit. I veshur me xhup ngjyrë të kuqe, oficeri i Agjencisë Informative të Serbisë (BIA), njëherësh këshilltar në Ambasadën serbe në Shkup, Goran Zhvilajeviq, shihet me telefon në dorë, ndërsa bisedon dhe me disa nga personat që dhunshëm ishin futur në Parlament. Oficeri i BIA-s kishte hyrë në Parlament bashkë me turmën e protestuesve në orën 20, ndërsa brenda kishte qëndruar derisa kishte përfunduar skenari për rrahjen e deputetëve, madje edhe vrasjen e deputetit Ziadin Sela, i cili nga huliganët maqedonas, u la për i vdekur në hollin e katit të parë të Parlamentit. Zhivaljeviq, siç ka raportuar ditë me radhë gazeta KOHA, është mbrojtur nën pretekstin se aty ka qenë për të vëzhguar nëse në ato ngjarje është i përfshirë ndonjë shtetas serb! Nuk ka të dhëna për përfshirjen direkte të tij në sulmet ndaj deputetëve Ziadin Sela dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, mirëpo habit fakti se diplomati serb bënë fotografi “selfie” në sallën plenare të Parlamentit dhe duke “festuar” me protestuesit tjerë. Por, ajo që hedh dyshime mbi mundësinë e përfshirjes së tij në ngjarjet e dhunshme është kontakti i kahmotshëm i tij me personat e maskuar. Burime të gazetës KOHA pohojnë se Zhivaljeviç ka kultivuar kontakte me spektër të gjerë njerëzish në Maqedoni, me theks të veçantë njerëz të nëntokës, të afërt me partitë maqedonase në vend.Burimet tonë flasin se shumica e këtyre grupeve radikale-nacionaliste maqedonase janë ndihmuar dhe financuar nga qendra të caktuara serbe. Emëruesi i përbashkët i tyre është angazhimi për të penguar hapërimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO. Kjo përputhet me interesat ruse në rajon, ku zakonisht serbët paraqiten si vegla të tyre për arritjen e këtyre qëllimeve gjeopolitike. (V.M)