Nga gjithsej 48 gra që vuajnë dënimin me burg në Idrizovë, një është shtatzëne. Në mesin e tyre ka edhe shtetase të huaja si nga Moldavia, Rumunia, Shqipëria etj. Ato akuzohen për kryerjen e veprave të ndryshme penale, ndërsa në mesin e tyre ka edhe të burgosura që vuajnë dënime deri 20 vjet burg
Destan JONUZI
Shkup, 21 janar – Në repartin e grave në burgun e Idrizovës, për momentin gjenden 48 gra që vuajnë dënimin për kryerjen e veprave të ndryshme si “vrasje”, “trafikim me drogë”, “prostitucion”, “vjedhje”, “mashtrim” etj. Në mesin e të burgosurave ka edhe shtetase të huaja, nga Moldavia, Rumunia, Shqipëria etj. Ka të burgosura që janë të dënuara edhe me vuajtje dënimi me burg prej 20 vitesh, për vrasje, ndërsa një e burgosur për momentin është shtatzënë. Madje, ka raste kur ndonjë e dënuar, ngelet shtatzënë derisa vuan dënimin.
Femi Jonuzi, zëvendësdrejtor i burgut të Idrizovës, tregon për gazetën KOHA se gratë shtatzëna të burgut i kanë të drejtat e njëjta shëndetësore sikurse ato jashtë, duke filluar nga udhëzimet për kontrolle deri te trajtimet e rregullta gjinekologjike.
“Ka raste kur një e burgosur vjen shtatzëne ose ngel shtatzëne gjatë vuajtjes së dënimit. Asaj i takojnë të gjitha të drejtat me ligj, sikurse edhe grave tjera shtatzënë që janë jashtë burgut. Burgu obligohet që në bashkëpunim me mjekun amë të burgut të kryej të gjitha obligimet, nga udhëzimet për kontrolle deri te trajtimet e rregullta gjinekologjike”, thotë Jonuzi.
ÇFARË NDODH ME NËNËN E BURGOSUR PAS LINDJES?
Nga burgu i Idrizovës bëjnë të ditur se edhe pas lindjes, në burg ka kushte për kujdes të veçantë për foshnjën derisa ti mbush 1 vjet, më pas e burgosura kujdestarin ia kalon një familjare ose kujdestareje për fëmijë nga Qendrat sociale.
“Gjatë qëndrimin me nënën në burg, fëmija trajtohet njëjtë sikurse fëmijët që janë jashtë, vaksinohet rregullisht, vizitohet nga pediatri, udhëzohet nëna etj. Por ka raste kur me mendim të mjekut, u ndërpritet vuajtja e dënimit në një afat të caktuar”, sqaron Jonuzi.
Gjatë vuajtjes së dënimit, të gjitha të dënuarat që kanë kaluar 3 muaj nga vuajtja e dënimit dhe janë në lidhje bashkëshortore apo nën një lidhje e cila është e rregulluar me ligj apo me dokumente të noterizuara, kanë të drejtën e qëndrimit me burrin në dhoma të posaçme për dy orë. Ligji vlen njësoj si për të burgosurit burra ashtu edhe për gratë. Edhe reparti ku janë të vendosura gratë është njësoj i ndarë sikurse pjesa ku janë të vendosur burrat, në hapësirën me tretman të mbyllur, gjysëm të hapur dhe të hapur.
MOTIVET
Dr.prof.Lulzim Murtezani, psikolog, thotë se dy momente janë vendimtare që kryerëset e veprës guxojnë të bëjnë një vepër për të cilën duhet të vuajnë dënim me burg: çrregullimi mendor dhe psikik. Edhe te femrat, shpjegon ai, hasen persona të quajtur psikopat – pa sens të bashkëndjenjësisë; tipa ekstremisht të mllefosur; me energji të akumuluar agresive – apo në mënyrë kronike, etj.
“Ka edhe momente që ndërlidhen me eksperienca individuale – dikush/ndonjëra/në fëmijëri vazhdimisht e torturuar, tjetra mbase në moshë të rritur abuzuese e substancave narkotike, por ka edhe prej atyre që ushqejnë hakmarrjen ndaj të tjerëve. Po ashtu, është e mundur për shkak të varfërisë së skajshme dhe shumë rrethanave tjera mjedisore dhe njerëzore që ushtrojnë trysni tejmase për të rezultuar në zhbërje të aftësisë së rezonimit dhe vetëdije fragjile që mund të bëj të gatshëm personin të dëmtoj materialisht dhe me jetë të tjerët”, shpjegon për KOHA, dr.Murtezani.
RISOCIALIZIMI
Nga burgu i Idrizovës thonë se udhëheqësia e saj së bashku me Sektorin për risocializim punojnë në risocializimin e të burgosurave dhe se për këtë qëllim organizohen edhe trajnime të ndryshme.
“Bashkë me sektorin për risocializim bëjmë organizimin e trajnimeve të ndryshme, si për rrobaqepësi, kuzhinieri, frizere etj. Po ashtu, në kuadër të aktiviteteve për resicoalizim janë organizuar edhe koncerte, shfaqje teatrale etj. Ndërsa më 15 shkurt pritet të fillojë edhe kursi i radhës për rrobaqepësi. Kemi edhe bibliotekën e burgut ku të burgosurat mund të lexojnë libra të ndryshëm”, informon zëvendësdrejtori i burgut të Idrizovës, Femi Jonuzi.
Të gjitha këto trajnime bëhen në bashkëpunim me shkolla profesionale dhe UNDP-në dhe organizatat tjera. Ndërsa, të burgosurat të cilat pajisen me certifikata të njëjtat mund tu shërbejnë për punësim pasi të kenë kryer vuajtjen e dënimit në tërësi. Edhe gratë e burgosura, njëjtë sikurse edhe burrat, kanë të drejtën e vizitës nga rrethi i parë familjar, vizitat e lira bashkëshortore dhe vizita nga të afërt e miq.
Nga burgu thonë se herë pas herë ka edhe zënka të vogla midis këtyre grave për çështje të brendshme, por zënkat janë të menaxhuara për shkak të numrit të vogël të të burgosurave. Lidhur me risocializimin e të burgosurave, mendon psikologu Murtezani, nuk mund të risocializohet një e burgosur me metoda ndëshkimi. “Në burgjet tona shumë pak u ndihmohet vuajtësve për t’u risocializuar. Nuk mundet me metoda ndëshkimi të modifikohen njerëzit e rrezikshëm. Thjesht, ata kur do vijë koha të jenë jashtë grilave, gjasat janë të mëdha t’i përsërisin veprat e vjetra”, thekson Murtezani.
E dhimbshme është, thonë përgjegjësit e burgut, kur gra që kanë përfunduar vuajtjen e dënimit, pas lirimit, kanë ndërprerë lidhjet dhe kontaktet me familjet e tyre. Herë me fajin e së parës, e herë me të dytës. Disa prej tyre thonë se janë edhe në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk vizitohen nga të afërmit e tyre.
Nga një grua e shtyrë në moshë, e dënuar me 20 vite burg për vrasjen e burrit, dorë ka hequr edhe djali i saj, i cili nuk e viziton, ndërsa kjo e rëndon edhe më shumë. Thotë se është penduar për vrasjen, por se, siç shprehet ajo, ka qenë e detyruar për shumë arsye. (koha.mk)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.