Duhet të ishte dita e tyre më e bukur, ardhja në jetë e vajzës së tyre, por gjatë lindjes diçka shkoi keq dhe pavarësisht tentativave për ta mbajtur në jetë, brenda pak orësh foshnja vdiq. Familja e shokuar nga tragjedia, pak orë më vonë u detyrua që të përballej me një tjetër situatë dramatike. Kjo pasi spitali e dorëzoi trupin e vogëlushes brenda një kutie kartoni.
Ngjarja e rëndë ndodhi këtë mesjavë në Beirut të Libanit, ku pamjet e kutisë më foshnjën brenda, u publikua nga aktivisti i të drejtave të njeriut Eddie AlArab. Kjo bëri që të ngjallet një indinjatë e madhe dhe kritika të forta ndaj autoriteteve. “Kush vallë mund të lejojë që një foshnjë e sapolindur t’iu dorëzohet prindërve në këtë mënyrë. Korrupsioni në Liban, godet çdo ligj të lidhur me dinjitetin”, shkroi aktivisti.
Pas bërjes publike të rastit, spitali kërkoi ndjesë dhe u justifikua duke thënë se: “Kur një fëmijë vdes dhe prindërit nuk kanë një arkivol, duhet ta dorëzojmë me kuti, nuk mund ta lëmë me çarçaf. Kjo gjë nuk ndodh vetëm në Liban, por në të gjithë spitalet e botës”.