Shkup, 17 korrik – Gjendja shëndetësore e foshnjës së rrahur 14-muajshe është mirë dhe nuk është në rrezik jete. Filluam ta ushqejmë nga pak, megjithatë ka fraktura në gju dhe nën-bërryl nga ana e majtë të cilat nuk janë vitale, gjegjësisht shqetësuese për jetë, por ka dëmtime më të mëdha të trurit në të cilat jemi të fokusuar. Është diagnostikuar edhe dëmtim i nervit të syrit.
Këtë sot për MIA-n e deklaroi mjeku Marjan Kamilloski nga Klinika për kirurgji të fëmijëve, ku foshnja është vendosur në Repartin për kujdes intensiv.
“Tani gjendja e përgjithshme është mirë. Ka disa sulme, gjakderdhje të vjetra dhe të reja të trurit, vatra të reja. Po bëhet vlerësim i kësaj, do të duhet të bëhet operim, por për këtë do të duhet kohë që të sanohet. Kolegët nga Klinika e syrit diagnostikuan dëmtim të nervit të syrit. Tani po merr terapi për këtë, por më tej do të shohim se si do të reagojë. Do të duhet kohë”, theksoi Kamilloski.
Shpjegoi se fëmija me siguri është rrahur dhe torturuar shumë më parë para se të sillet në Qendrën klinike.
“Në Klinikë kemi kujdes intensiv të ri dhe të pajisur mirë, ku ka kushtet më të mira në të gjithë Republikën. Kolegët nga Neurokirurgjia po rinovojnë dhe ky fëmijë nuk është për atje. Këtu ka ekip të reanimatorëve, ka ekip që kujdeset rreth foshnjës dhe në nivel të shtetit tonë kujdes më adekuat mund të ofrohet vetëm në Kirurgjinë e fëmijëve”, shtoi mjeku Kamilloski.
Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) Irina Sotirova Buhova në deklaratë për MIA-n tha se lidhur me rastin me foshnjën e rrahur kanë vepruar në kuadër të kompetencave të tyre gjegjësisht kanë realizuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese tek mjeku amë i foshnjës së rrahur 14-muajshe dhe në pikën e vaksinave në Shtëpinë Shëndetësore “Jane Sandanski”.
Theksoi se kanë konstatuar se fëmija pesë herë është dërguar në kontroll tek mjeku amë gjatë muajve të kaluar prej të cilëve herën e fundit më 4 prill, ndërsa paraprakisht në shkurt. Të gjithë vizitat, theksoi, janë lidhur me infeksion respirator të traktit të sipërm, është dhënë terapi e nevojshme dhe fëmija nuk është dërguar në kontroll tjetër.
Lidhur me atë se nëse fëmija është dërguar në mjek me simptoma rrëzimi ose maviosje nëpër trup dhe kokë, shpjegoi se një e dhënë e tillë në kartonin shëndetësor nuk është evidentuar.
Foshnjën e ëma e ka çuar më 7 korrik në Qendrën klinike në Shkup në gjendje komatozone me fraktura në kafkë dhe gjakderdhje në tru, e dehidruar dhe e paushqyer.