Shkup, 16 shkurt – Forumi Rinor i Alëancës për Shqiptarët i ka nisur dje një letër-kërkesë ministres për Arsim, Milla Carovska, ndërsa i kërkohet tërheqja e menjëhershme e librit “Gjeografi II për gjimnazin e reformuar”, libër ky ku ofendohen shqiptarët ndërsa ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. “Po ju shkruajmë këtë letër për t’ju kërkuar tërheqjen urgjente nga përdorimi të librit ‘Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar’, bazuar në Ligjin për Librat Shkollorë për Arsim Fillor dhe të Mesëm, gjegjësisht neni 26, pika 2 e cila thotë: ‘Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi edhe nëse përmban materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë. Libri i lartpërmendur përshkruan historinë e shqiptarëve të Maqedonisë Veriut në mënyrë jo shkencore dhe ofenduese”, shkruan në letrën e Forumit rinor pranë Aleancës për Shqiptarët.
“Përveç se ka ofendime ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, konsiderojmë që elementet në libër janë edhe ksenofobe dhe i kontribuojnë stigmatizimit dhe inkurajimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Andaj, Ministria juaj duhet të distancohet nga këto materie dhe ky libër të tërhiqet një ditë e më parë”, vazhdon më tej letër-kërkesa drejtuar carovska, ndërsa janë theksuar ofendimet ndaj shqiptarëve në këtë libër. Në faqen 99 të librit “Gjeografia II), thuhet që, “prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin vetveten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedonase që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”.
Po në këtë faqe, shqiptarët paraqiten si rrezik për shtetin, ku thuhet se “…vendosja e re e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë nuk është proces i mbaruar, ai bëhet edhe sot-në fillim të shekullit XXI. Vendosja e këtillë në momente e pakontrolluar, vendosja në mënyra të ndryshme mund t’i dëmtojë të gjithë në Republikën e Maqedonisë”. Në ndërkohë, në faqen 104, thuhet që “imigrimi i popullsisë shqiptare në Maqedoni nuk është bërë spontanisht, por në masë të madhe me dhunë, i planifikuar, me ndihmën e qeverisë turke ose të agallarëve dhe bejlerëve turq, të cilët e kishin lejuar vendosjen e popullsisë shqiptare-muslimane. Për ketë ekzistojnë dëshmi autentike. Maqedonasit i kanë përzënë nga vendbanimet e tyre me metoda të ashpra, si me vjedhje, kidnapime, vrasje, maltretime fizike-rrahje, djegie e të tjera”. (koha.mk)