– Vendi në periudhën që vijon do të përballet me sfida të mëdha, hyrja në NATO dhe fillim i bisedimeve me BE-në, ndërsa në gjithë këtë proces në të cilin zbatohen reforma për ndryshimin e sistemit është e nevojshme pjesëmarrje më aktive e sektorit qytetar. Zgjidhjet e reja ligjore në të ardhmen duhet të sillen me koncensus të pushtetit, opozitës dhe sektorit joqeveritar.
Këtë e porositën sot deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Forumit kombëtar “Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe organizatave qytetare”, që u mbajt në organizim të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), në kuadër të programit Civika mobilita.
Ndryshime ligjore paralajmëruan deputetët me qëllim që të përforcohet bashkëpunimi me sektorin qytetar në procesin e krijimit të politikave dhe sjelljen e ligjeve, mes tjerash edhe të hapet mundësia që të marrin pjesë në seanca të trupave kuvendore dhe të japin mendimin e tyre për sfera të caktuara, ndërsa përfaqësuesit e joqeveritarëve vlerësuan se bashkëpunimi është përmirësuar në dy vitet e kaluara, por megjithatë kërkon përfshirje më të madhe dhe dëgjim më të madh te deputetët në lidhje me propozimet e tyre për ndryshime të caktuara ligjore.
Jovan Mitrevski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së përmendi se në raportin e fundit të Komisionit Evropian është vërejtur progres në këtë sferë dhe shprehu bindje se në raportin që do të publikohet nesër ajo transparencë për bashkëpunim me sektorin qytetar do të vlerësohet pozitivisht.
“Krijuam pasqyrë të re pozitive evropiane. Sot mund të themi se kemi sektor të fuqishëm qytetar në të gjitha proceset. Përfundoi koha e frikësimit për të gjithë ata që nuk mendojnë njëjtë. Nuk ka më kualifikime si mercenarë dhe tradhtarë. Është korrigjuar padrejtësia që iu ishte bërë dhe përmes zgjidhjes së re ligjore, janë mbyllur të gjitha hetimet të cilat ishin ngritur kundër jush vetëm si hakmarrje kundër angazhimeve tuaja”, tha Mitrevski.
Duke theksuar se vendi në periudhën e ardhshme do të përballet me sfida të mëdha – deri në fund të vitit do të bëhemi anëtare e NATO-s, ndërsa duke shprehur edhe bindje se do të marrim datë për negociata me BE-në, theksoi se kemi përpara një proces serioz dhe të rëndë në të cilin organizatat qytetare në të gjitha sferat mund të japin kontribut të përbashkët me bartësit e pushtetit.
Theksoi se nuk guxon që të përsëritet e kaluara dhe të lejohet që organizatat joqeveritare të instrumentalizohen për qëllime politike.
Në linjë të njëjtë edhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski. Ai përmendi se në vend ka rreth gjashtë mijë shoqata dhe organizata joqeveritare, por siç tha një pjesë shumë e vogël janë aktive dhe funksionale.
“Për fat të keq kjo tregon faktin se në shtetin tonë shumë shpesh sektori qytetar përdoret në politikën e përditshme”, tha Micevski.
Theksoi se si shtet i cili pretendon që të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s para nesh është një proces i reformave të mëdha dhe ato reforma nuk mund të zbatohen pa bashkëpunim me organizatat qytetare.
“Ju duhet të jeni motor i ndryshimeve dhe reformave të cilat do të pasojnë në vitet e ardhshme. Zgjidhjet e reja ligjore, të cilat do të sillen duhet të sillen me koncensus nga ana e pushtetit, opozitës dhe sektorit qytetar”, tha Micevski dhe shtoi se si deputetë të sektorit qytetar shohin si partner dhe korrektor i procesit të ndërtimit të zgjidhjeve ligjore.
Deputetja e pavarur Ivana Tufegxhiq, e cila doli nga sektori joqeveritar theksoi se mënyra e vetme për arritjen e politikave cilësore është që të ndërtohet prej poshtë lartë.
“Organizatat qytetare janë pjesë e politikës dhe kjo nuk mund të fshihet me asgjë, praktikisht zëri i qytetarëve del prej atje, kështu që ata mund të përjashtohen. Vetëm së bashku me sektorin qytetar mund të arrijmë vëzhgim efektiv ndaj pushtetit ekzekutiv dhe të krijojmë politika të mira”, tha Tufekxhiq.
Sreten Kocevski nga Instituti për zhvillim të bashkësisë, i përshëndeti angazhimet e deputetëve për përforcimin e bashkëpunimit, por iu tërhoqi vërejtjen se shumë shpesh nuk dëgjojnë reformat thelbësore, të cilat ata i propozojnë.
Në vend kemi një situatë, kur të gjithë pajtohen se nevojitet zbatim i Marrëveshjes Kornizë, por askush nuk dëshiron që ta zbatojë në nivel lokal, tha ai, duke theksuar se në Parlament ka pasur debat, propozime për ndryshime të ligjit për vetëqeverisje lokale, por nuk shihet progres në këtë sferë.
“Më interesante është që deputetët të cilët angazhohen në mënyrë deklarative për të drejtuat e pakicave nuk ishin të gatshme që të zbatojnë ndryshimet”, tha Kocevski.
Irena Cvetkoviq nga Margjinat, theksoi se pas një kohë të gjatë mund të qëndrojë në disa institucione dhe të ndajë rrëfim pozitiv për angazhimin e saj në sektorin joqeveritar.
“Që nga fillimi i karrierës sime në OJQ e deri para pak kohësh na ishte hequr kjo mundësi”, tha Cvetkoviq dhe shtoi se janë përballuar vetëm me pengesa dhe pamundësi për ndikim ndaj sistemit.
E përmendi formimin e Grupit ndërpartiak parlamentar për të drejtat e komunitetit LGBT në janar të vitit 2018 si sukses i madh në atë rrugë, por shtoi se para se të arrijnë deri te kjo janë përballuar me luftë të përqendruar gati njëshekullore.
Në këtë forum morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe ambasadorja e Zvicrës, Sibil Suter Taheda.(koha.mk)