Seanca e sotme gjyqësore për gjykimin për rastin “Fortesa 2” e PSP-së është shtyrë për 23 maj, për shkak të mungesës së të akuzuarit Goran Grujevski, ish shef i Drejtorisë së pestë të MPB-së. Mbrojtja kumtoi se ai ka pasur probleme shëndetësore dhe prandaj nuk ka ardhur në gjykim.
PSP-ja kërkoi që të kontrollohen dokumentet mjekësore të Grujevskit dhe të kontrollohen edhe video incizimet nga mbikëqyrja në MPB dhe nga DSK, sepse, sipas pohimeve të Prokurorisë ka qenë në hapësirat e tyre, derisa ishte në pushim mjekësor. Mbrojtja porositi se nuk është hera e parë që Grujevski të mungojë për shkak të problemeve shëndetësore, sepse vuan nga një sëmundje kronike, ndërsa, siç tha, me këtë është njoftuar edhe prokuroria.
Shtyrja e fundit e seancës gjyqësore për këtë rast ishte më 13 mars, për shkak të mungesës së gjykatëses Lidja Petrovska nga Gjykata Penale e Shkupit e cila ishte në pushim mjekësor. Lënda “Fortesa 2” ka të bëjë me shkatërrimin e dokumentacionit në lidhje me sistemet nga përgjimi i paligjshëm. Të dyshuar janë ish-shefi i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim Goran Grujevski dhe gjashtë të punësuar në DSK, të cilët ngarkohen për shkatërrim të paligjshëm të dokumentacionit i cili ishte i nevojshëm për hetim për zbulimin e mënyrës në të cilën DSK-ja ka kryer përgjigje.