Formula 1 me pistë të re, vitin e ardhshëm do të garohet edhe në Majemi

14

Presidenti i Formula 1, Stefano Domenicali, ka konfirmuar se vitin e ardhshëm do të garohet edhe në pistën qytetase të Majemit. F1 ka arrirur një marrëveshje me këtë qytet, për të zhvilluar aty gara për 10 vite me radhë. Pra, do të garohet nga viti 2022 deri në vitin 2031. Gara do të nisë rreth orës 20:00 të mbrëmjes me orën shqiptare.

Pista do të jetë përreth stadiumit legjendar “Hard Rock Stadium”, rreth 25km larg qendrës së Majemit. “Kjo garë do të jetë ndryshe nga ajo e Austin, pista tjetër amerikane e Formula 1. Para nesh hapet një treg i rëndësishëm për të kërkuar zhvillimin e sportit tonë”, tha Domenicali.

Gara e Majemit, me shumë gjasa, do të zhvillohet në gjysmën e parë të vitit 2022. Një garë që pritet të jetë e ndjekur, duke parë turizmin e madh që ka Florida. Bëhet fjalë për një pistë qytetase, ku do të përdoren mjaft nga strukturat aktuale, por edhe me zona të reja. Pista do të ketë një pjesë të drejtë të gjatë, ku do të arrihet shpejtësia 320km/orë.