Pandemia e koronavirusit influencon sërish kampionatin botëror të Formulës 1. Edicioni i 72-të i botërorit të Formulës do të fillojë një javë më vonë, nga sa ishte programuar fillimisht në kalendarin paraprak, për shkak të masave të forta shtrënguese që vazhdojnë të kenë dy vende si Australia dhe Kina. Dihet historikisht se gara hapëse e sezonit në këtë kompeticion është pikërisht ajo e Çmimit të Madh të Australisë, e në fakt drejtuesit më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit kishin përcaktuar datat nga 19 – 21 mars për të startuar edicionin e ri të këtij aktiviteti, sidoqoftë duke parë situatën aktuale dhe përshkallëzimin e pandemisë së koronavirusit apo qoftë edhe lëvizjet e kufizuara nga njëri vend në tjetrin krerët më të lartë të FIA-s vendosën që të shtyjnë jo vetëm Çmimin e Madh të Australisë, por gjithashtu edhe garën e Çmimit të Madh të Kinës.
Si Australia ashtu edhe Kina kanë vendosur masa shumë të rrepta dhe një protokoll tepër të fortë ndaj të gjithë personave me kombësi të huaj që hyjnë në territoret e tyre. Etapat në Melbourne dhe Shanghai ishin programuar fillimisht në kalendar për t’u zhvilluar respektivisht si gara e parë dhe e tretë e sezonit, megjithatë pas shtyrjes së tyre edicioni i 72-të i botërorit të Formulës 1 do të nisë kështu më datë 26 mars në Sakhir, me provat e lira, pikërisht me Çmimin e Madh të Bahreinit, që përfaqësonte paraprakisht garën e dytë të vitit 2021.
Nga datat 19-21 mars Çmimi i Madh i Australisë do të shtyhet me plot tetë muaj, për t’u zhvilluar në datat 19-21 nëntor, ndërkohë është shtuar një garë në Imola, në Autodromin Ndërkombëtar Enzo e Dino Ferrari, kështu që Italia do të ketë privilegjin për të pritur garën e dytë sezonale nga data 16 deri më 18 prill.
I kënaqur, Presidenti i Formulës 1, Stefano Domenicali deklaroi se pavarësisht këtyre ndryshimeve numri i garave për këtë sezon do të mbetet i pandryshuar. Stefano Domenicali ka lindur pikërisht në Imola, një qytet në zonën metropolitane të Bolonjës në Emilia – Romagna dhe në muajin janar 55-vjeçari mori detyrën e presidentit të Formulës 1 nga 67-vjeçari irlandezo – amerikan Chase Carey, që tani do të mbulojë rolin e kryetarit jo ekzekutiv. Drejtuesi italian ka punuar për gati çerek shekulli në radhët e skuadrës së famshme nga Maranello, më saktë Stefano Domenicali filloi punë te Ferrari në 1991, për të dhënë dorëheqjen në vitin 2014 dhe 55-vjeçari theksoi se pandemia e koronavirusit nuk po lejon jetën në glob që t’i kthehet rrjedhës normale, megjithatë plot krenari ai shtoi se pavarësisht pranisë së virusit Covid – 19 Formula 1 u bë sporti i parë ndërkombëtar që iu rikthye aktivitetit në vitin 2020. Sipas tij tashmë është krijuar eksperienca e duhur bashkë me partnerët apo promovuesit e shumtë, për të bërë përpara dhe për të përballuar situatën, ndërkaq Domenicali shpjegoi se bisedimet me partnerët e tyre në Lindjen e Largët vazhdojnë, për fiksimin e datave për Çmimin e Madh të Kinës, që ishte programuar në kalendar për t’u zhvilluar nga data 9 deri më 11 prill.
Ka mbetur bosh për momentin vendi i garës së tretë, që është përcaktuar të mbahet më datën 2 maj, gjithsesi mendohet që ky pozicion të merret nga Portimao dhe Çmimi i Madh i Portugalisë, pas debutimit të suksesshëm të vitit të kaluar. Për të sistemuar Çmimin e Madh të Australisë kanë pësuar ndryshime tre garat e tjera në Brazili, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Çmimi i Madh i Brazilit në Sao Paolo është zhvendosur një javë para dhe do të zhvillohet më datën 7 nëntor, për t’i lënë dy javë kohë garës në cirkuitin e Melburnit, Albert Park, ndërsa garat në Jeddah dhe cirkuitin Yas Marina në Abu Dhabi janë shtyrë një javë më vonë, respektivisht në datat 5 dhe 12 dhjetor.
Edicioni i vitit të kaluar që u dominua sërish nga Mercedesi dhe piloti britanik Lewis Hamilton u zhvillua me vetëm 17 gara gjithsej, ndërsa këtë radhë 17 etapat e sezonit të shkuar mbeten të pandryshuara, sidoqoftë numri i garave në total për momentin do të jetë plot 23, një rekord për Formulën 1, por mbetet për t’u parë se çfarë do të bëhet me Çmimin e Madh të Kinës në Shanghai. Imola u kthye që vitin e kaluar në kalendar, më datën 1 nëntor, pas një mungese që zgjaste që nga viti 2006, por sidoqoftë në këtë pjesë të Italisë janë zhvilluar 27 gara radhazi nga viti 1980 deri në 2006. Sezoni i kaluar u shty që në fillim, vetëm pak orë përpara se të nisnin provat e lira në Australi, sepse një pjesëtar i ekipit McLaren rezultoi pozitiv me virusin Covid – 19. 12 nga 23 garat e përcaktuara në kalendar, pra më shumë se gjysma do të zhvillohen në Kontinentin e Vjetër.
Gara e fundit evropiane përsa i përket kalendarit të botërorit të Formulës 1 për vitin 2021 do të jetë Çmimi i Madh i Rusisë, në Sochi më datën 26 shtator, ndërsa tetë garat e programuara për t’u mbajtur në një periudhë kohe prej dy muajsh e gjysmë do të zhvendosen me radhë në Singapor, Japoni, Shtetet e Bashkuara, Meksikë, Brazil, Australi, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të mbyllet përfundimisht edhe rrugëtimi i gjatë i njëvendësheve të Formulës 1 për këtë sezon.