Luis Hamilton ka fituar Çmimin e Madh të Amerikës duke siguruar titullin e konstruktorëve dhe duke iu afruar akoma më shumë titullit kampion. Në podium bashkë me të janë ngjitur Fettel dhe Raikkonen. Në përfundimit të Çmimit të Madh të Amerikës, ku e kaloi i pari vijën e finishit, piloti britanik u shpreh. “Urime skuadrës për fitoren. Ky vit ka qenë i pabesueshëm. Kemi punuar të gjithë si skuadër dhe jam krenar për këtë. Sidomos për faktin që makina ka patur shumë ndryshime”, tha Hamilton. Hamilton e konsideroi një fitore të mrekullueshme suksesin në Austin, por nuk harroi të përgëzonte edhe rivalin e Ferrarit, Vettel, për garën e zhvilluar. “Ishte një garë e madhe, një nga më dëfryeset. Sebastian e nisi shumë mirë, por unë e dija që mund ta parakaloja. Arrita të ruaja ritmin dhe ta lija pas, janë pikërisht këto momente për të cilat jetoj. Më surprizoi Fettel, sepse u tregua shumë korrekt. Mendoj se ishte një fitore e jashtëzakonshme edhe për të gjithë miqtë e mi që kishin ardhur për të më ndjekur”, deklaroi britaniku. Nga ana tjetër, Fettel e pranoi se e kishte të pamundur të ndalte Hamiltonin dhe kjo ndodhi për problemet e Ferrarit. Gjithsesi, gjermani i “Kokëkuqes” u shpreh i bindur se e ardhmja i përket skuadrës italiane.
Ndërkohë, sa i përket garës, starti ishte spektakolar teksa Fettel arriti të parakalojë kryesuesin Hamilton në kthesën e parë pas një starti ëndrrash. Gjermani merr kryesimin e garës me Hamilton që i qëndron shumë pranë duke regjistruar xhiron më të shpejtë. Si përfundim, në xhiron e gjashtë anglezi arrin të rimarrë kryesimin e garës. Ndërkohë në pistë bie në sy shpejtësia e Verstappen i cili fiton duel pas dueli duke u futur në zonën e pikëve. Në xhiron e 13-të pas një prekje me Bottas, Rikardo ndalon dy xhiro më pas duke u thënë inxhinierëve se motori ka mbaruar. Fettel futet në bokse në xhiron e 17-të ndërsa Hamilton në xhiron e 20-të, të dy me goma të buta, ai del nga bokset i treti ndërsa Fettel është direkt pas tij duke pritur mundësinë e tij. Gjermani arrin të regjistrojë xhiron më të shpejtë dhe mundohet ta parakalojë kryesuesin por nuk ia arrin. Pit stopi i dytë për Fettel vjen në xhiron e 35-të, i cili del në pozicionin katërt. Ndërkohë Raikonnen pas shtatë xhirosh përpjekje ka parakaluar Bottas në xhiron e 43-të duke dalë i dyti dhe 12 sekonda larg kryesuesit Hamilton. Pas disa xhiros edhe Fettel i afrohet Bottas, Ferrari mund të dalë në podium pasi vendi i parë nuk diskutohet nga Hamilton. Në xhiron e 52-të ndodh skena e garës teksa Fettel ka parakaluar në mënyrë spektakolare Bottas, i cili një xhiro më pas parakalohet edhe nga Verstappen, i cili e prek në kthesë duke detyruar finlandezin të shkojë në bokse. Raikonnen i hap rrugën Fettel pak më pas pasi gjermani akoma ka shpresa të fitojë titullin.