Duhet të vëmë në dukje se për themelimin e komitetit të NDSh-së në Dibër, nëpërmjet disa qarqeve të caktuara, ishte informuar edhe Nexhat Agolli, i cili asaj kohe mbante posti e ministrit për Punë Sociale të RP të Maqedonisë. Këtë e pohon Qemal Skënderi, i cili më 17 shtator të vitit 1946 para organeve të hetuesisë deklaron: “…Atë ditë kur Qeram Zllatkut ia dhashë Rezolutën, më tha se ishte takuar me Nexhat Agollin dhe se ky i paska thënë: Ju në Dibër keni themeluar ndonjë komitet kundër regjimit të tanishëm…”
Nga Qerim LITA
(vijon)
Në bazë të vendimit që e mori KQ i NDSH-së, për formimin e komiteteve dhe nënkomiteteve, në të gjitha vendbanimet shqiptare, gjatë muajit qershor të vitit 1946, në Dibër të Madhe u formua Komiteti Epruer (Qarkor) i NDSH-së, i cili, sipas direktivave të marra nga udhëheqja qendrore e Shkupit, duhej t’i përfshinte komitetet e NDSh-së të rretheve: Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Përveç kësaj, udhëheqja e komitetit duhej të vendoste lidhje të përhershme edhe me guerilën shqiptare që vepronte në Dibër të Vogël, Lumë, Hasë, Tropojë e Shkodër. Me fjalë tjera, komiteti i Dibrës, pati karakter regjional, i cili i nënshtrohej vetëm Komitetit Qendror të NDSH-së në Shkup. Përveçse në Dibër, komitete të tilla gjatë pranverës së atij viti qenë themeluar edhe në Tetovë, Kumanovë, Gjilan, Ferizaj, Drenicë dhe Prishtinë.
Themelimi i Komitetit Epruer të NDSH-së në Dibër lidhet ngushtë me tre figurat e shquara shqiptare të kësaj krahine: Osman Cami, Dr. Qeram Zllatku dhe Medat Tërshana. Ky treshë, në bashkëpunim të ngushtë me Halim Oranën, Azem Maranën, Hysni Rudin dhe Qemal Skënderin, menjëherë pas kongresit II (IV) i cili siç u tha më lartë, u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup, e filloi aktivitetin për themelimin e komitetit në fjalë. Duhet të vëmë në dukje faktin se këtij aktiviteti i parapriu O. Cami, i cili si i deleguari i komitetit të Dibrës, në Shkup arriti disa ditë para se të mbahet kongresi. Gjatë asaj periudhe kohore, zhvilloi takime të rëndësishme me krerët udhëheqës të organizatës, prej të cilëve mori udhëzime dhe detyra konkrete për punën e udhëheqjes së ardhshme të komiteit të Dibrës, të cilat përfshinin disa pika:
– vendosja e lidhjes së përhershme me çetat e armatosura shqiptare;
– krijimi i fondit të veçant për mirëmbajtjen e atyre çetave;
– lidhja e menjëhershme me komitetet vartëse të rretheve Gostivar e Kërçovë;
– themelimi i komitetit të NDSh-së për rrethin e Strugës;
– themelimi i nënkomiteteve të NDSh-së në vendbanimet shqiptare të atij qarku, etj.
Lidhur me këto detyra, zëvendës kryetari i KQ të NDSH-së, Qemal Skënderi, në procesin e hetuesisë të mbajtur më 17 shtator 1946, deklaroi se menjëherë pas kongresit kishte biseduar dy ditë me radhë me Osman Camin:
“…Pas kongresit të IV dy ditë me radhë bisedova me Osman Camin, delegat i Dibrës, i cili më tha se është informuar se në krahinën e Lumës në afërsi të kufirit jugosllav-shqiptar kah Prizreni, njerëzit e Muharrem Bajraktarit kanë marrë detyrë prej anglezëve që me çdo kusht të krijojnë zone të lire, ku më pas anglezët në atë zone do të lëshojnë material, armatim me municion, ushqim, veshëmbathje etj….Unë dhe Osmani biseduam për organizatën meqenëse këtë çështje nuk e sqaruam sa duhet. Më pyeti se në cilat zona ekzistojnë çeta të rretheve. Unë i thash se në rrethinën e Kumanovës Sul Hotla ka 10 vetë, Në Kaçanik Din Hoxha ka rreth 30 vetë, në Kosovë, Ajet Gërguri dhe Gjon Sereçi kanë rreth 30 vetë. Unë e pyeta se si është gjendja në krahinën e Dibrës. Ai mu përgjigj se Muharrem Bajraktari ka rreth 300 vetë, Sherafedini ka rreth 150 vetë, Hysni Dema ka qenë në Greqi dhe është kthyer, ku ka vendos lidhje….Osman Cami më fliste se njëfarë Hysni Dema është i besuari i Muharrem Bajraktarit dhe si i tillë dy tre here ka shkuar në Greqi për mbajtjen e lidhjeve me anglezët. Përndryshe, Hysni Dema nga çlirimi i Shqipërisë e deri më sot jeton vazhdimisht në ilegalitet në territorin e Peshkopisë…”.
Ndërkohë, nga deklarata e Qeram Zllatkut, e cila dëshmohet edhe nga O. Cami, kuptojmë se në momentin kur kongresi i përfundoi punimet, rastësi apo jo, në Shkup arriti edhe Zllatku. Ai në deklaratë ndër të tjerave thekson se anëtarët e NDSH-së në Dibër nuk e dinin saktësisht se në cilën datë do të mbahej kongresi. Halim Orana, gjatë qëndrimit të tij në Dibër, u kishte thënë se kongresi do të mbahej më 21 maj, mirëpo disa ditë më pas, përmes një letre, njoftonte Zllatkun dhe Camin se për “disa arsye” kongresi ishte shty për 26 maj. Mbështetur në këtë informatë, një ditë më parë, përkatësisht më 25 maj, O. Cami udhëtoi për në Shkup, ku qëndroi deri më 3 qershor:
“Atëherë, – shprehet Zllatku para hetuesisë – pasi në punën time u paraqit nevoja që të vij zyrtarisht në Shkup, për të marrë material për luftë kundër malaries, gjithashtu të marrë edhe disa instruksione nga shërbimi mjekësor i qarkut për plotësimin e disa formularëve…”.
Qeram Zllatku në Shkup qëndroi deri më 7 qershor, në të cilën periudhë, krahas me Halim Oranën, takohet edhe me anëtarët tjerë të NDSH-së: Hysni Rudin, Azem Maranën dhe Qemal Skënderin. Në këto takime, në të cilat mori pjesë edhe O. Cami, dy udhëheqësve të komitetit të Dibrës, u bëhet me dije se KQ i NDSH-së, përmes lidhjeve që do të vendosen përmes korierëve “do të pranoj raporte” për punën e udhëheqjes së Komitetit Epruer të Dibrës” dhe anasjelltas, përmes lidhjes së njëjtë “do të dërgoj direktiva për punë”. Lidhjen me komitetet e rretheve të Gostivarit e të Kërçovës, të cilët ishin themeluar më herët, Komiteti Epruer i Dibrës do ta vendoste me ndihmën e udhëheqjes qendrore. Kjo çështje siç deklaron O. Cami, ishte shtruar nga ana e Azem Maranës, i cili ndër të tjerave shprehet:
“…Sa i përket Kërçovës, Gostivarit ne kemi njerëz dhe me ta mbajmë lidhje, mirëpo atë lidhje do ua dorëzojmë juve që në të ardhmen ju të mbani lidhje me ta kështuqë Dibra do të bëhet qendër, i cili do të lidhet drejtpërdrejti me Shkupin”.
Më tej, ata informohen se të gjitha direktivat, KQ i NDSH-së i merr nga Greqia përmes Selanikut, e të cilat në Greqi vijnë nga Bari i Italisë, përkatësisht nga Komiteti i Ballit Kombëtar në krye me Mit’hat Frashërin, se udhëheqja e ngushtë të KQ të NDSh-së në Shkup përbëhej nga: Halim Orana, Azem Marana, Qemal Skënderi dhe Ibrahim Lutfiu. Meqenëse Osman Cami, një kohë të gjatë kishte qëndruar në Shkup, për çështje sigurie, është vendos që ky të udhëtoj për në Dibër, ndërsa Zllatku të qëndroj në Shkup derisa t’i merr të gjitha materialet e dala nga Kongresi. Lidhur me këtë, Q. Zllatku, para organeve të hetuesisë shprehet:
“…Halim Orana dhe Osman Cami më njoftuan me Qemal Berberin (Skënderin – Q. L.) anëtar i Komitetit Qendror të organizatës tonë. Njoftimi me Qemalin ishte më 4 qershor. Osmani e kishte porositur që letrën direktive Qemali të ma jep mua, ndërsa ai në mesdite udhëtoi për në Dibër. Gjithashtu edhe Halimi me 5 apo 6 qershor udhëtoi për Zagreb. Ashtu siç më tha Osman Cami ne me Qemal Berberin u takuam më 5 qershor në hotelin ‘Makedonia’ e nga aty u nisëm për në park. Gjatë rrugës bisedonim gjëra të rëndomta ndërsa unë e pyeta se a e ka sjell letrën apo jo. Qemal Berberi e kishte sjell letrën dhe ma dorëzoi në park. Pas asaj unë nga Qemali u interesova, ngjashëm si nga Halimi, se nga vijnë ato direktiva, ndërsa Qemali më tha se direktivat vijnë nga Bari dhe se ai komitet është i pranuar nga ana e anglezëve. Se nga ai komitet Halim Orana është caktuar të shkoj në Zagreb, ndërsa nga Zagrebi në Triestë dhe se atje të vendos lidhje me komitetin në Zagreb. Tha se nga anglezët do të merrnim 30.000 pushkë në rast shpërthimit të luftës, dhe se në atë mënyrë me një fuqi të organizuar kombi shqiptar të futet në luftë me çka do mund ta fitoj lirinë e vet kombëtare. Qemal Berberi më tha se ata në momente të tilla llogarisin edhe në depot me të cilat sot disponon ushtria e RFPJ-së. Gjatë bisedës, Qemali më foli se si ata kanë përfaqësues të tyre në ushtri. Më kujtohet saktësisht se më tha që në Gostivar kanë 600 ushtarë nën shërbim të tyre… Përveç kësaj më tha se detyra e përgjithshme e komiteteve është formimi i çetave të armatosura të cilat do të luftonin për interesat tona. Unë ia bëra me dije se kjo do të jet një çështje e rëndë, dhe se për këtë vështir se ne do t’ia arrijmë qëllimit. Si mungesë kryesore për formimin e çetave e paraqita mendimin tim, se ne nuk kemi armatim. Në mënyrë të veçanta i thash se në Dibër si vend i vogël dhe se kjo për ne do të jetë shumë e vështirë. Pasi me të i pastrova çështjet kryesore u interesova edhe për atë se si ne do të njoftohemi me korrierët anonim. Qemal Berberi më tha se për tërë këtë e ka njoftuar Osman Camin ndërsa parullën ma tregoi edhe mua: ‘emri i muajit dhe të ditës kur do të vij korieri’, për shembull: ‘qershor-e premte’. Pasi e mora letrën direktive më 7 qershor u ktheva në Dibër…”.
Duhet të vëmë në dukje se për themelimin e komitetit të NDSh-së në Dibër, nëpërmjet disa qarqeve të caktuara, ishte informuar edhe Nexhat Agolli, i cili asaj kohe mbante posti e ministrit për Punë Sociale të RP të Maqedonisë. Këtë e pohon Qemal Skënderi, i cili më 17 shtator të vitit 1946 para organeve të hetuesisë deklaron: “…Atë ditë kur Qeram Zllatkut ia dhashë Rezolutën, më tha se ishte takuar me Nexhat Agollin dhe se ky i paska thënë: Ju në Dibër keni themeluar ndonjë komitet kundër regjimit të tanishëm…”. (vijon nesër)