Formimi i formacioneve kreshnike shqiptare (2)

Rënia e Dibrës në duart e forcave komuniste shkaktoi pakënaqësi tek shqiptarët e këtij qyteti sepse pushteti nuk administrohej nga shqiptarët, por nga maqedonasit. Tempo mbajti një fjalim në Kërçovë ku pohoi se “së shpejti do të ngrihet flamuri Maqedhonas dhe, në rast se do të kundërshtojnë reaksionarët, atë do ta mbrojë Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare”. Këtë deklaratë Haxhi Lleshi e konsideronte se ishte “shumë me vend”, por shprehte shqetësimin se “reaksionarët gjetën rast për të ba propagandë kundra nesh si komunista që bashkohemi me kombe tjera”

 

Nga Qerim LITA

(vijon nga dje)

Advertisements

Në kohën kur po zhvilloheshin luftime të ashpra në rrethinën e Kërçovës, në Peshkopi, me ndihmën e Faik Shehut, ishin futur njësitë partizane. Numri më i madh i partizanëve ishin malazezë e italianë. Më 9 tetor, 1943, drejtuesit e KpLPSHE-së, i kërkuan Faik Shehut që “komunistët të lëshojnë qytetin deri në orët e para të mëngjesit, përndryshe forcat shqiptare do të futen në qytet”. Ky ultimatum nuk u përfill. Krerët e Komitetit, më 13 tetor u futën në Peshkopi me forcat e veta. Po atë ditë, formuan Komitetin Nacional, nën udhëheqjen e Fiqiri Dines, Riza Drinit dhe Selim Jegenit. Me këtë rast, Riza Drini mbajti një fjalim ku, ndër të tjera, deklaroi: “Ne do të luftojmë kundra Gjermanisë. Jemi miq me Aleatët e Mëdhej, Angli e Amerikë të cilët do t’u japin liri popujve të shtypun dhe paqe e drejtësi botës.”. Më pas, u zgjodhën organet e prefekturës: prefekti, kryetari i bashkisë, komandanti i qarkut e i rrethit dhe u bë grumbullimi i xhandarmërisë.

Forcave partizane ju erdhi në ndihmë çeta e Esat Ndreut dhe një batalion i Brigadës Maqedono-Kosovare i përbërë nga partizanë serbë e malazezë. Vendosja e forcave serbo-malazeze në Peshkopi i acaroi edhe më tepër marrëdhëniet midis dy krahëve politik shqiptarë. Krerët nacionalistë, kërkuan nga Faik Shehu i cili mbante anën e FNÇSH-së që të tërhiqeshin urgjentisht forcat serbo-malazeze nga qarku i Peshkopisë. Ky premtoi se këto forca do të largoheshin, por kjo tërheqje nuk u bë. Kështu, qarkkomandanti i Prefekturës së Dibrës, Miftar Kaloshi, urdhëroi mobilizimin e mbarë popullsisë së Dibrës për dëbimin e forcave armike nga kjo krahinë shqiptare. Në këtë situatë tejet dramatike, ndërhyri përfaqësuesi i misionit ushtarak anglez i cili ju dha ultimatum komunistëve shqiptarë që t’i largonin partizanët e huaj nga kjo krahinë. Mirëpo drejtuesit komunistë shqiptarë edhe këtë herë nuk e mbajtën fjalën. Si rezultat, më 18 tetor shpërthu lufta midis forcave nacionaliste shqiptare dhe forcave komuniste shqiptaro-jugosllave. Më 19 tetor, përsëri ndërhyri kapiteni anglez i cili i kërkoi Esat Ndreut që të ndalohej menjëherë lufta vëllavrasëse; të dorëzonte topat e kazermat; si dhe të largonte të huajt nga Peshkopia. Ai paralajmëroi Esatin se, nëse nuk zbatohej kjo kërkesë, “përgjegjësinë e luftës e mbante ai (Esati) dhe se për këtë do të lajmëroj Londrën.”.

Ndërhyrja e tij ndihmoi për arritjen e armëpushimit. Më tej kapiteni anglez ndërmjetësoi në bisedimet që u zhvilluan midis dy palëve. Komitetin shqiptar e përfaqësuan Abaz Kupi dhe Fiqiri Dine ndërsa, FNÇSH-në Esat Ndreu. Si përfundim, u arrit marrëveshja që më 21 tetor forcat partizane të lëshonin Peshkopinë, ndërsa në vend të tyre të futeshin forca nacionaliste. Po atë ditë, Komiteti Shqiptar për Lirinë dhe Pavarsinë e Shqipërisë Etnike, lëshoi një komunikatë, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë: “Komiteti me të gjithë antarët e vet sot ka hy në Peshkopi dhe ka fillue nga veprimi. Ju njoftojmë se Komiteti edhe gjithë  paria e besatueme për realizimin e qëllimit të naltë të vet qi asht shpëtimi i Kombit dhe i Atdheut sot asht i vendosun ma tepër se kurdoherë për me vazhdue në përpjekje e në luftë me nji vullnet të pa përkulshëm dhe me nji energji gjithnji ma të rreptë, për me dalë në krye misionit t’onë të shenjtë. Ju ftojmë pra qi të mbani për herë naltë e ma naltë frymën luftarake në shpirtin t’uej e të ja shartoni ket frymë edhe njerzve t’uej tue mbajtë naltë flamurin e Nacionalizmizmit dhe t’Atdheut,  të patriotizmit Shqiptar e Dibran…”.

Sipas marrëveshjes së arritur me misionarët anglezë, forcat partizane u vendosën në Dibër të Madhe. Këtu qëndronin, Svetozar Vukmanoviq-Tempo dhe Haxhi Lleshi. Duhet theksuar se gjatë muajit shtator 1943, Tempo i shkroi dy letra njëra pas tjetrës Komitetit Qendror të PKSh-së. Në letrën e parë, dërguar më 13 shtator 1943, Tempo,  kërkonte, që Këshilli Nacionalçlirimtar i Dibrës të shkëpuste çdo lidhje me Shtabin Shqiptar e të vihej nën varësinë e Shtabit Jugosllav. “Përndryshe, kërcënonte Tempo, do të ndodhnin përleshje, ku do të merrnin pjesë dhe komunistët”. Në letrën e dytë, dërguarmë 29 shtator 1943, ai shprehej se “armiku kryesor në Maqedoni e në Kosovë nuk ishte pushtuesi gjerman (!) por reaksioni shqiptaromadh” dhe se detyra kryesore për momentin ishte “shpartallimi i tij”. Më tej në letër, Tempo, deklaronte se “më mirë të kemi këshillin tonë jugosllav, i cili ka për të zbatuar vijën jugosllave edhe sikur të mos ketë autoritet, sesa një këshill që ka autoritet, por nuk qëndron në vijën jugosllave”. Menjëherë pas kësaj ShP i UNÇSH-së, i drejtoi një letër Haxhi Lleshit, me të cilën ai udhëzohej që të bënin kujdes e të mos lejonin asnjë gabim në marrëdhëniet me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Maqedonisë dhe në trajtimin e pakicës maqedonase në Dibër.

Për rrjedhojë, gjatë muajit tetor 1943 u formua i ashtuquajturi “Këshilli Nacionalçlirimtar i Dibrës”, i cili përbëhej prej 14 vetëve, 7 shqiptarë dhe 7 maqedonas, në mesin e tyre edhe një prift. Në një mbledhje që organizata vendore e PKM-së e mbajti në Dibër, S. V. Tempo,  urdhëroi: formimin e menjëhershëm të njësive të reja partizane me përbërje të përzier nacionale; marrjen e aksioneve të përbashkëta nga ana e njësive partizane të LNÇM-së dhe të atyre të LNÇSh-së kundër forcave nacionaliste shqiptare; përdorimin e barabartë të gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e bashkisë, dhe; sigurimin e barazisë së plotë të flamurit maqedonas me atë shqiptarë.

Kjo gjendje që u krijua në Dibër të Madhe, ishte e padurueshme, andaj me kërkesë të Komiteti Shqiptar, Xhemë Gostivari, Shahin Cami, Mefail Zajazi, Aqif Reçani, me forcat e tyre kreshnike e të xhandarmërisë, u shkuan në ndihmë dibranëve. Në anën tjetër, më 27 tetor, Aqif Lleshi, me forcat e veta, ishte nisur për në Radastush dhe kërkonte që xhandarmëria shqiptare të tërhiqej prej asaj komune, me qëllim që edhe aty të vendosej pushteti komunist jugosllavo-maqedonas. Pasi xhandarmëria shqiptare refuzoi të tërhiqej, shpërtheu lufta e cila zgjati rreth 8 orë. Në përfundim të saj Radastushi ra në duart e komunistëve. Posa u informuan për marrjen e Radastushit nga Aqif Lleshi, forcat nacionaliste shqiptare, me në krye Xhemë Gostivarin, Mefail Zajazin, Shahin Camin dhe Fik Maliqin, me 28 tetor sulmuan Radastushin dhe, pas një luftimi të shkurtër, përsëri kjo komunë ra në duart e parisë nacionaliste shqiptare.

Forcat nacionaliste shqiptare pasi morën nën kontroll Radastushin, më 31 tetor sulmuan qytetin e Dibrës. Sulmi qe orientuar në dy drejtime. Xhemë Gostivari, Miftar Kaloshi, Shahin Cami dhe Ali Maliqi me fuqitë e tyre vullnetare e të xhandarmërisë, sulmonin nga ana veriore, ndërsa nga ana jugore kah Struga, sulmonte Uke Cami me fuqitë e veta. Në anën e kundërt, qëndronin njësitë komuniste shqiptaro-jugosllave, përkatësisht maqedonase. Luftimet vazhduan edhe në natën e ditës  së parë. Forcat kreshnike shqiptare arritën të futeshin në një pjesë të qytetit në vendin e quajtur Tikvarcë. Më 1 nëntor në orët e hershme të mëngjesit zhvilloheshin luftime të përgjakshme, për çdo shtëpi dhe rrugicë. Uke Cami sulmonte nga drejtimi i Shpiles, fshatrat Nomovë dhe Sushicë përmes fushës kah qyteti dhe u vendos te varrezat maqedonase nga ku i atakonte pozitat partizane te Kulla e Dacit. Në raportin e lartëpërmendur të Sotir Vullkanit, ndër të tjerave thuhej se forcat nacionaliste shqiptare “…të inkurajuara nga sukseset e atjeshme (Radastushit), sulmojnë me të gjitha fuqitë dhe fare në befasi (me që nuk e prisnim një sulm aq të shpejtë), thuajse pa rezistencë, hynë në pjesën lindore të qytetit, ku hynë nëpër shtëpija dhe, prej andej, vazhdojnë të luftojnë. Sulmi qe i ashpër dhe zgjati gjithë natën në këtë pjesë; nga ana tjetër, d.m.th. nga V.P.(Veriperëndimi) sulmon Sabri Bej Maqellara; ndërsa nga jugu sulmon Uke Cami”.

Në kohën, kur zhvillohej luftë e ashpër në qytetin e Dibrës, Xhemë Gostivarit i erdhi lajmi për rënien e Kërçovës në duart e forcave komuniste jugosllave. Ai, bashkë me Mefailin dhe Aqif Reçanin, lanë Dibrën dhe u nisën për në Kërçovë. Xhema dhe Mefaili u futen në Kërçovë nga ana e Gostivarit, ndërsa Aqif Reçani u vendos në anën e poshtme, duke u dalë partizanëve pas shpine. Luftimet zgjatën deri në orët e mbrëmjes dhe përfunduan me disfatën e forcave partizane, të cilat u tërhoqën në drejtim të Poreçes, duke lënë disa dhjetra ushtarë të vrarë, midis tyre edhe komandantin e batalionit maqedono-kosovar, një malazez. Nga radhët e shqiptarëve u vranë Begzat Vuli, Sulçja i Aranjelit, Habib Kaleshi dhe disa ushtarë tjerë.

Me rivendosjen e pushtetit shqiptar në Kërçovë e Peshkopi, u dobësuan shumë pozicionet e forcave komuniste jugosllavo-shqiptare të cilat tani kishin në duart e veta vetëm qytetin e Dibrës. Në këto rrrhana, Enver Hoxha, i dirigjuar nga Milladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha, lëshoi një qarkore deri te komitetet qarkore të PKSH-së, me të cilën ai i porosiste ata që në fushatën e tyre, rëndësi të veçantë t’i kushtojnë popullarizimit të luftës nacionalçirimtare të Evropës mbarë, veçanërisht të Jugosllavisë dhe Greqisë.

“Është e nevojshme, shkruante Hoxha, që ta pohojmë në mënyrë të qartë, pa asnjë mëdyshje, çështjen e vëllazërisë sonë me popujt jugosllavë dhe popullin grek. Ta demaskojmë në mënyrë të pamëshirshme reaksionin dhe shovinizmin të cilët përpiqen të na fusin në luftë me fqinjët, ta bindim popullin se interesat e mëdha të atdheut kërkojnë të jemi në vëllazëri me popujt e Jugosllavisë e të Greqisë, t’ia heqim maskën shovinizmit i cili përpiqet të paraqitet si mbrojtësi i Shqipërisë nga të huajtë dhe t’i tregojmë botës se kush jemi ne, se vetëm ne /lëvizja nacionalçlirimtare/ e mbrojmë Shqipërinë nga pushtuesi dhe armiqtë e huaj. Duhet bindur popullin se lëvizjet nacionalçlirimtare të Greqisë dhe të Jugosllavisë jo vetëm se nuk e cenojnë pavarsinë tonë por se e sigurojnë atë dhe që tash po na ndihmojnë që ta fitojmë.”.

Qarkorja e Enver Hoxhës, nuk pati as çfarë efekti në Tokat e Liruara, e aq më pak në Dibër të Madhe, ku forcat vullnetare të Komitetit Shqiptar për Lirinë dhe Pavarsinë e Shqipërisë, pas një lufte disaorëshe me repartet komuniste shqiptaro-jugosllave, më 16 nëntor 1943, u futën triumfalisht në qytetin e Dibrës, duke i dëbuar partizanët në drejtim të Karaormanit. Një ditë pasi u çlirua Dibra e Madhe, Komiteti Provizor i Qarkut të Dibrës, lëshoi një komunikatë me këtë përmbajtje: “Dje në një luftë prej disa orësh q’u ba në Dibër kundër Komunistavet, qyteti u pushtue nga ana e Nacionalistavet të këtyne viseve…”.

 

FORMIMI I FORMACIONEVE KRESHNIKE SHQIPTARE

Posa u çlirua Dibra e Madhe, një delegacion i asaj prefekture, i udhëhequr nga Fiqiri Dine, Hamdi Dema, Xhemë Gostivari, Gajur bej Deralla, Mefail Zajazi, Halil Alia, Ali Maliqi, Uke Cami, Kadri Saliu, Shuaip Kamberi, Mentor Çoku, Remzi Shaqir Beu – Çoku etj., udhëtoi për në Tiranë me ç’rast u takua me kryetarin e Këshillit të Naltë të Regjencës, Mehdi Frashërin, me kryeministrin Rexhep Mitrovicën dhe me ministrin e brendshëm, Xhafer Devën. Në këto takime, ndër të tjerave, është vendosur që në Prfekturën e Dibrës të fomohej një Batalion i rregullt i ushtrisë shqiptare. Përveç kësaj, nga ana e delegacionit në fjalë, u kërkua që në hapësirën e asaj prefekture të bëhej regjistrimi i së paku 2.000 xhandarëve shqiptarë. Lidhur me këtë,  Rexhep Mitrovica, përmes një shkrese urgjente dhe të besueshme, kërkonte nga ministri i brendshëm, Xhafer Deva, që të merret në shqyrtim kjo kërkesa e delegacionit dhe në bashkëpunim me komandantin e përgjithshëm të xhandarmërisë “të studjohet mundësija e plotësimit të kësaj kërkese”. Në letrën kthyese të Xhafer Devës, theksohet se regjistrimi i xhandarmërisë në Prefekturën e Dibrës, ishte paraparë me projektin e hartuar nga gjeneral Prenk Previzi, dhe se kjo çështje “duhet të rregullohet në mënyrën si asht parashtrue për Shqipnin mbas nji planit”.

Nuk vonoi shumë dhe Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare emëroi Gajur Derrallën komandant të Batalionit të Tetovës, ndërsa zëvendës të tij u emëruan Arif Dragomanci dhe Memish Bukoviqi të cilët, njëkohësisht, ishin edhe komandantë të çetave. Batalioni “Luboten” u themelua më 28 nëntor 1943, i cili përbëhej prej 1.200 ushtarëve, 54 oficerëve e nënoficerëve, repartin mjekësor nën udhëheqjen e Dr. Xhafer Sulejmanit etj. Në ceremoninë solemne, foli kryetari i Bashkisë së Tetovës, Shuaip Kamberi, i cili veç tjerash shprehet:  “Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë. Para jush janë prindërit e juaj më të dashur, para jush është i tërë populli, simboli i lirisë flamuri ynë heroik i njëjti ai i cili shekuj me radhë mbahej nga beteja në betejë në duart e djemve trima si ju, të cilët me jetën e tyre mbronin atdheun tonë të dashur edhe atë shumë herë duarthatë, por e kanë mbrojtur. Ja edhe juve u erdhi radha që në hap t’i trashëgoni paraardhësit e juaj duke pasur të njëjtin flamur, ta mbroni atdheun tonë të dashur….”.

Pas fjalimit të Shuaip Kamberit, Gajur bej Deralla, lexoi betimin e Ushtrisë Shqiptare, që pati këtë përmbajtje:  “Së pari në emrin tuaj e më pas së bashku me ju, duke e lexuar betimin, e kur para nesh paraqitet nevoja e që për atdheun ta japim edhe jetën. Me këtë nuk do të bëjmë asgjë tjetër vetëm se përgatitjen e një guri prej graniti, për një monument të lartë të heronjve të panjohur i cili ndërtohet me eshtrat e paraardhësve tanë duke filluar nga Pellazgët e deri më sot. Do ta drejtojmë pushkën dhe bajonetën tonë kundër çdo kujt i cili dëshiron që në mënyra të ndryshme të na del para rrugës”.

Ndërkohë, Qeveria Mitrovica, në konsultim me Këshillin e Naltë të Regjencës, formoi një komision ndërministror, me detyrë që të bëj riorganizimin e xhandarmërisë shqiptare dhe formimin, përkatësisht organizimin e forcave ushtarake vullnetare (kreshnike). Rrjedhimisht, Komisioni, në mbledhjen e mbajtur më 7 janar 1944, miratoi projektin për formimin e reparteve vullnetare në Tokat e Liruara. Projekti parashikonte formimin e së paku një reparti vullnetarësh në çdo komunë (eventualisht dy apo tre) varësisht nga madhësia e komunës. Repartet do të numëronin 100 vullnetarë të ndarë në tetëshe dhe toge. Për çdo repart, përkatësisht njësi do të caktohej nga një komandant, i cili duhej detyrimisht të ishte i drejtë, besnik, atdhetar dhe udhëheqës i mirë. Përveç kësaj, ai duhej të posedonte autoritet tek masat dhe ta kishte fituar besimin e vullnetarëve (kreshnikëve) që do të jenë nën varësinë e tij. Çdo e dyta apo e treta njësi, do të komandohej nga një oficer i lartë dhe me përvojë të mjaftueshme ushtarake. Organizimi i njësive kreshnike parashikohej të kryhej në dy faza: faza e parë organizimi i njësive në afërsi të linjës së demarkacionit, në një distancë prej 25-30 km, dhe; faza e dytë, organizimi i njësive më largë linjës së demarkacionit.

Nisur nga kjo, Komanda e Mbrojtjes Kombëtare përmes një qarkoreje, urdhëronte prefekturat e Tokave të Liruara, përkatësisht atë të Dibrës, Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Shkodrës dhe të Korçës, që të fillonin menjëherë me organizimin e njësive vullnetare. Në qarkore, veç tjerash thuhej:

“…Në konseguencë të këtij urdhni, luteni të urdhnohen Bashkitë dhe Komunat, të asaj Prefekture që, mbrenda datës 15 Fruer 1944 t’i paraqiten kësaj Komande listat emnore të meshkujve 33 deri 55 vjeç (1890-1910) të dallueme për çdo datë-lindje në lista të veçanta. Në listat emnore do të shënohet për çdo 100 vetë nji Kryetar Reparti, 50 veta nji nënkryetar, nji komandat skuadre nër 25 veta, tue zgjedhë ata persona qi kanë influencë e simpati në popullë, gjith’ashtu në listë do të shënohen armët dhe llojet e numrat e tyre e sasija e municjonit simbas modelit bashkangjitun…”.

Për rrjedhojë, në Prefekturën e Dibrës u formuan disa njësi kreshnike nën udhëheqjen e Xhemë Gostivarit, Aqif Reçanit, Mefail Zajazit, Uke Camit, Azis Kaloshit, Ali Maliqit, Ramadan Hoxhës, Nazmi Tateshin, Faik Polisi-Dobovjanit, Arif Dragomancit etj.. Numri i përgjithshëm i vullnetarëve arrinte deri më 15.000, ndërsa në rast nevoje edhe deri më 30.000, të aftë dhe të gatshëm për t’i mbrojtur tokat e liruara. Kjo ushtri kreshnike pati komandën e vet që quhej “Komanda e Operacionit”, me komandant Xhemë Gostivarin, ndërsa zëvendësit e tij ishin, Uke Cami dhe Mefail Zajazi. Më vonë, pas kapitullimit të Bullgarisë, këto forca u shtrinë edhe në regjionin e gjerë të Dervenit dhe pjesës Perendimore të Karshiakës së Shkupit, pastaj në Fushëgropën e Kumanovës që komandoheshin nga Sulë Hotla dhe dy zëvendësit e tij: Abdyl Durra dhe Memish Bukoviqi.

 (vijon nesër)