Shkup, 14 janar – Partnerët e koalicionit ende nuk kanë diskutuar për rifreskimin e kabinetit qeveritar, edhe pse një gjë e tillë u përmend si mundësi pas ndryshimeve kushtetuese. Nga Qeveria thonë se kjo çështje ende nuk është hapur për diskutim. Nuk përjashtojnë mundësinë e ndryshimeve të disa posteve ministrore, por thonë se kjo gjë ju takon partnerëve të koalicionit.
Sipas burimeve jozyrtare të Alsat-M, përveç katër ministrave në opsion për lëvizje janë edhe tre zëvendëskryeministra.
Nga BDI, thonë se ende është herët të flitet për rifreskim të ekzekutivit. Artan Grubi thotë se BDI ka prioritete tjera.
“Tash është koha për ligjin e gjuhëve dhe nuk planifikojmë që së shpejti të bëjnë këmbime postesh”, u shpreh Artan Grubi, BDI.
Edhe në partinë e Zaevit thonë se në këtë moment rifreskimi i Qeverisë nuk është hapur si temë me partnerët e koalicionit.
“Çështje të këtilla nuk janë të hapura në këto momente, megjithëse për çdo detaj, adresa e vetme është kryeministri Zoran Zaev. Puna e të gjithë ministrave po përcillet në vazhdimësi”, tha Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
Më i përfoluri deri tani për të ikur nga Qeveria është zëvendës kryeministri Hazbi Lika, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e këmbimit të dikastereve mes BDI-së dhe LSDM-së. Për Likën pakënaqësi kishte shprehur vet kryeminstri Zaev. Konkretisht për mungesën e tij në seancat e Qeverisë dhe në Sekretariat, i cili është në opsion të shndërrohet në Ministri për sisteme politike dhe multikulturalizëm.
Në fund të dhjetorit, u shkarkuan dy ministra të kabinetit të Zaevit, Aksel Ahmedovskit nga posti i ministrit pa portofol i angazhuar për implementimin e strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve si dhe ministrin Adnan Qahil ministër për investime të huaja. Në vend të Ahmedovskit, u emërua Muzafer Bajram, ndërsa në vend të Adnan Qahilit u emëruar Elvin Hasan. (Alsat)