Nga Xhemi HAJREDINI
Piktori Gëzim Llalla, në ekspozitën e çelur në Pallatin e Kulturës, të martën në mbrëmje në Strugë, ka ekspozuar veprat e tij artistike të ndara në dy cikle ose dy lloje teknikash. Në teknikën e mozaikut (gur, qeramikë, beton) dhe në teknikën e aplikacionit ku alternon materien e gurit dhe atë të drurit, pra dy objekte të ndryshme por që janë të pranishme kudo në natyrë. Frymëzimin për mozaikët e realizuar në këtë ekspozitë, të cilat janë të përmasave jo shumë të mëdha por të realizuara me shumë mjeshtëri nga autori, e ka marrë nga relievi i thyer i tokës. Prandaj në funksion të kësaj ideje ai ka krijuar një mozaik me forma të çuditshme me një reliev e hapësira të vogla, ku të bën të prekësh një pjesëz toke. Diku në një pjesë të mozaikut, apo në thellësi të tij, ai ka vendosur objekte të vërteta të cilat janë figura mitike, diku një sferë, në një tjetër një gur, objekte të cilat janë shumë në harmoni me mozaikun por njëkohësisht e bëjnë edhe më të çuditshme. Me këto do të tregojë ato pasuri që janë të fshehura nën tokë, por njëkohësisht edhe një homazh për artistët e periudhave të hershme të njerëzimit.
Ndërsa në ciklin me punimet e realizuara në teknikën e aplikacionit dru dhe gur, autori thotë se ideja për këto punime i lindi natyrshëm, si rezultat i vëzhgimeve të herëpashershme gjatë shëtitjeve eksploruese nëpër lumenj, kodra e male ku i bënin përshtypje këta gurë të copëtuar, por brenda tyre zbuloi gjera të ndryshme si: silueta njerëzish, kafshësh, pamje betejash, ngjarje e pamje të pazakonta. Pamja e këtyre objekteve të frymëzojnë me prezencën e dizenjove dhe subjekteve të përsosura që natyra mban në gjirin e saj, të cilat, ashtu si edhe ne, janë krijesa të universit. Zgjidhja qe autori ka dhënë në qartësimin e formave të bukura të këtyre gurëve ishte telajoja prej druri, nga ku gjithashtu i është dashur shumë punë që ai të harmonizonte qartë këto dy objekte, për t’ia përcjellë shikuesit bukur estetikisht e me profesionalizëm. Diku, ndonjë gur mban edhe nënshkrimin e personit nga krahina apo vendi ku është marrë, gjë që do të theksojë se shpesh here guri ka shërbyer si vend për lënie apo marrje mesazhesh të ndryshme, të fshehura nën gurë apo të shkruara mbi to. Sipas kritikut italian Franko Bruno, Llalla arrin të skalisë kompozicionin kromatik në një paletë që pasqyron me besnikëri shpirtin prej artisti. Ai di të kapë aspekte kompozitive të planeve që mbivendosen duke ndërtuar një konglomerat me volume e hapësira të vogla, me një teknikë jo fort të zakonshme “Mozaiku piktoresk”.
Ndërsa sipas piktorit dhe kritikut të artit, Qazim Muja, mozaiku piktural, duke marrë gurin dhe drurin nga natyra dhe duke respektuar veçoritë e tyre morfologjike dhe sensibilitetin fizik, Llalla ka krijuar vepra, të cilat me fuqinë e vet të brendshme dhe fuqinë e jashtme, këtyre dimensioneve të thjeshta u jep fuqinë e monumentales.
Krijimtaria e autorit Gëzim Llalla paraqet njërën nga hapësirat e mundshme të postmodernes shqiptare, që përmes gjuhës së materies, formës, simbolikës dhe shenjave i ka hapur rrugën enigmës dhe misteriozes. “Duke u nisur nga energjia e brendshme e gurit dhe e drurit, që paraqesin dy nga materiet e krijuesit të universit mikrokozmik, Llalla në materien e zgjedhur ka lënë vulën e vet në hapësirat mentale dhe emotive të njeriut bashkëkohor”.
Nga viti 2005 e deri më sot artisti nga Elbasani, Gëzim Llalla, është prezantuar në shumë evente kulturore dhe është dekoruar me shumë çmime prestigjoze nga vendi dhe bota. Ky piktor i thjeshtë, natyral, i kuptueshëm, i dashur, me këtë ekspozitë personale “Forma i mjafton mendimit” do të jetë për tri ditë rresht në qytetin e Strugës, respektivisht në foajenë e Qendrës për Kulturë. (koha.mk)