[adning id="476476"]

Ford nuk do të prodhojë më makina në Indi

11

Kompania amerikane, Ford, do të ndalojë prodhimin e makinave në Indi dhe do të mbyllë të dyja fabrikat që ka në këtë shtet.

Ford ka thënë se do të mbyllë fabrikat në rajonet Gujarat dhe Tamil Nadu në çerekun e dytë të vitit 2022, mirëpo do të vazhdojë të krijojë motorë makinash për eksport.

Kjo njëherësh është kompania e fundit e madhe që largohet nga India në vitet e fundit.

Më 2017, kompania General Motors ka ndalur së prodhuari makina për tregun indian.

Vitin e kaluar, edhe kompania tjetër, Harley-Davidson ka vepruar njëjtë.

Këto largime kanë qenë në kundërshtim me përpjekjet e kryeministrit indian, Narendra Modi për të nxitur shkuarjen e prodhuesve të huaj atje.

Ford ka pësuar humbje operative prej më shumë se dy miliardë dollarësh në dekadën e fundit në Indi dhe kërkesa për makina të reja është dobësuar, ka thënë kompania.

Kjo kompani ka prodhuar makina në Indi për 25 vjet, mirëpo ka pasur vështirësi në konkurrencë.

Sipas raportimeve, Ford ka zotëruar më pak se dy për qind të tregut të makinave të pasagjerëve dhe kompania është renditur e nënta në Indi, sa u përket prodhuesve më të mëdhenj të makinave.