Shkup, 3 shkurt – Më 8 shkurt, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, në Prokurorinë e Shkupit pritet të jap deklaratë për padinë penale, të cilën e dorëzoi ditë më parë e që lidhet me keqpërdorimet në Fondin Invalidor dhe Pensional të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.
Paraqitja e ministres Carovska në prokurori duhet ti sqarojë detajet e theksuara në padinë penale për mos pagesën e mjeteve të 12 mijë qytetarëve të siguruar në shtyllën e dytë pensionale. Gjatë paraqitjes publike të saj, ministrja Carovska tha se brenda 10 viteve të kaluara, në llogari të shtyllës së dytë pensionale, nuk janë paguar 19 milionë euro.
“Për një të siguruar me rrogë mesatare, gjatë periudhës 2007-2018 gjithsej kanë mbetur të pashpërndarë rreth 295 mijë denarë, kontribute në shtyllën e dytë pensionale, respektivisht janë humbur rreth 95 mijë denarë fitime nga investimi në llogari individuale me çka ne do ti dëmshpërblejmë me nga 400 mijë denarë për shfrytëzues”, tha ministrja Carovska. Mes tjerash, ajo potencoi se përveç parave që nuk kanë qenë të transferuara në fondet private pensionale, shteti do ti dëmshpërblej të siguruarit edhe për të hyrat që nuk i kanë realizuar nga investimi i mjeteve. (koha.mk)