Zejnulla VESELI
Shkup, 17 shkurt – Ministria e Financave nga fillimi i këtij viti ka rritur presionin ndaj tregut vendor duke u futur në borxhe të reja tek bankat komerciale me qëllim për të kthyer borxhet e mbetura të huazuara vite më parë si dhe financimin e rrjedhës së buxhetit për këtë vit, shkruan gazeta KOHA. Me marrjen e borxhit të fundit në vlerë prej 36 milionë euro nga bankat vendore, nga ankandi i letrave me vlere publikuar të martën më 13 shkurt, një ditë më pas me 14 shkurt, e gjithë kjo shumë do të shkojë për kthimin e borxheve të vjetra që shteti ua ka institucioneve financiare në tregun vendor.
Përfundimisht me emetimin e fundi të letrave me vlerë në tregun financiar vendor, sipas Ministrisë së Financave janë realizuar disa ankande me vlerë të përgjithshme prej 136 milion euro dhe se borxhi i brendshëm, edhe përkundër huazimeve të reja gjatë dy muajve të parë të këtij viti, mbetet në nivelin e njëjtë – 1 miliardë e 505 milionë euro.
“Të gjitha huazimet që Qeveria i ka bërë në tregun financiar vendor nga janari i këtij viti e deri në ankandin e fundit, realizuar ditën e martë, vlera e përgjithshme e borxhit të brendshëm mbetet po i njëjtë – 1 miliardë e 505 milionë euro, aq sa ishte deri në fund të vitit 2017. Kjo për shkak se të gjitha huazimet e mara deri më sot në tregun financiar vendor kanë shkuar për pagimin e borxheve të vjetra ndaj institucioneve financiare vendore të huazuara nga shtetit deri më fund të muajit dhjetor të vitit 2017. Pra huazimet e reja aspak nuk kanë ndikuar në rritjen e borxhit, kështu që edhe 36 milion euro e huazuara në ankandin e fundit, e gjithë vlera e grumbulluar që sot do të shkojnë për shlyerje të borxheve të vjetra ndaj institucioneve financiare vendore”, thonë nga Ministria e Financave.
Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se Fondet private të pensioneve, janë huadhënësit më të mëdhenj të qeverisë në tregun financiar vendas. Të dhënat për vitin 2017 tregojnë se shoqëritë private të pensioneve marrin pjesë me shumën absolute më të lartë dhe përqindjen më të lartë në strukturën e letrave me vlerë të blera nga qeveria. Kështu, në bazë të gjitha letrave me vlerë dhe bonove të thesarit, të emetuara deri më sot, shteti fondeve pensionale private u ka borxh 558.5 milionë euro, bankave komerciale u ka borxh në vlerë të përgjithshme prej 543 milionë euro, ndërsa kompanive të sigurimit borxhi i shtetit është 109.5 milionë. (koha.mk)