Shfrytëzimi i fondeve të ndryshme evropiane për komunat në Maqedoni nuk duhet të shikohet si një vjelje e thjeshtë e frutave, por si një proces që i paraprin përgatitjes, koordinimit dhe planifikimit serioz nga ana e kapaciteteve administrative komunale dhe organizatave të ndryshme joqeveritare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 maj – Shfrytëzimi i fondeve të ndryshme evropiane për komunat në Maqedoni nuk duhet të shikohet si një vjelje e thjeshtë e frutave, por si një proces që i paraprin përgatitjes, koordinimit dhe planifikimit serioz nga ana e kapaciteteve administrative komunale dhe organizatat e ndryshme joqeveritare. Gjithashtu, duhet marrë parasysh se shfrytëzimi më i madh i fondeve evropiane kërkon harmonizimin e strategjive të ndryshme zhvillimore vendore me ato të Bashkimit Evropian që vendosen në korniza shtatëvjeçare, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Ljupço Petkovski, kryetar i Organizatës joqeveritare “EvroTink”, fondet evropiane në përgjithësi kanë një dimension zhvillimor evropian që përkon me qëllimet e politikave të përbashkëta të BE-së e që nevojitet të jenë komplementar me politikat zhvillimore vendore të Maqedonisë.
“Fondet evropiane nuk janë thjeshtë një vjelje frutash siç paragjykohet shpesh në Maqedoni, por ato kanë një bazament stabil dhe përgatitje serioze të buxheteve shtatëvjeçare, si dhe arritjes së qëllimeve të njëjta të Evropës së bashkuar. Gjithashtu, gjatë shqyrtimit të fondeve të ndryshme evropiane duhet pasur parasysh se ato nuk duhet të shikohen vetëm si vjelje frutash, por duhet marrë parasysh faktin e ato kanë rrënjë, degë që në fund japin edhe fruta. Me fjalë të tjera, ato planifikohen në kuadër të buxheteve dhe qëllimeve shtatëvjeçare , ose periudhës 2014-2020”, shton më tej Petkovski.
Sipas tij, opinioni në Maqedoni duhet të merr parasysh edhe faktin se nevojitet me kohë të lobohet para BE -së por edhe para pushtetit qendror nga ana e komunave dhe organizatave joqeveritare, me qëllim që edhe çështjet e ndryshme vendore të inkorporohen në programet e ndryshme zhvillimore.
Ai më tej ka shpjeguar edhe mënyrën e njëanshme se si tek ne përfytyrohet procesi i fitimit të projekteve. “Ekziston një anekdotë për atë se ku janë komunat lidhur me fondet evropiane që tregon se për to janë të angazhuara ose sektorët për bashkëpunim ndërkombëtar ose ato për politikë jashtme, ndërkohë që harrojmë se të gjitha 35 kapitujt për të cilat nesër do të negociojmë për tu anëtarësuar në BE, kanë të bëjnë me politikat e brendshme. Andaj, në të ardhmen nevojitet të ndërtohen kapacitete lidhur me fondet evropiane në të gjitha sektorët dhe jo vetëm në këto dy sektorë”, thotë Petkovski.
Në ndërkohë, në kuadër të projektit Mekanizmi konsultativ lokal për IPA 2, do të lokalizohen aktivitetet për përmirësimin e kapaciteteve dhe perfomancave të qytetit të Shkupit, Tetovës, Strumicës dhe Manastirit në procesin e tërheqjes së fondeve IPA.
“Kjo paraqet një projekt inkluziv që nënkupton edhe bashkëpunimin me organizatat joqeveritare, trajnime… Parashikohen një sërë trajnimesh për mbindërtimin e kapaciteteve të administratës si dhe përgatitjen e planit aksional për qasjen ndaj aplikimit ndaj fondeve evropiane”, thotë Ljubiça Jançev, kryetare e Këshillit të qytetit të Shkupit.
Në ndërkohë, në kuadër të projektit, deri në fund të muajit shtator do të ketë trajnime të ndryshme për rritjen e kapaciteteve të administratës në komunale dhe sektorit civil lidhur me fondet evropiane.
Ndryshe, analizat e kapaciteteve për shfrytëzimin e fondeve evropiane të përgatitura nga OJQ Info-Qendra tregojnë se vullneti ekzistues në Qytetin e Shkupit duhet të shndërrohet në masa dhe aktivitete konkrete që do të sjellin shfrytëzim më të madh të fondeve që ofron BE. Qyteti i Shkupit duhet të sajojë dhe zbatojë promovim të vazhdueshëm sistemor të përfitimeve nga pjesëmarrja në programet evropiane si për Shkupin, ndërmarrjet publike, organizatat joqeveritare, sektorin e biznesit, ashtu edhe për qytetarët në përgjithësi. Nga ana tjetër, vullneti ekzistues në Komunën e Strumicës dhe mungesa e barrierave politike duhet të kalojnë në masa dhe aktivitete konkrete që do të rrisin shfrytëzimin e fondeve evropiane, në pajtim me kornizën e zhvillimit strategjik të komunës.
Gjithashtu, komuna nevojitet që të vazhdojë të promovojë në mënyrë sistemore për të gjitha palët duke filluar nga qytetarët e deri tek sektori i biznesit apo ai joqeveritar. Modeli i bashkëpunimit lokal në këtë komunë mund të promovohet edhe si praktikë e mirë edhe në komunat dhe rajonet e tjera në shtet. Për Komunën e Tetovës dhe atë të Manastirit, akoma nuk është shpallur analiza e InfoQendrës lidhur me fondet evropiane. (koha.mk)