Athinë, 5 mars – Kryetarja e KE-së, Ursula fon der Lajen, me letrën dërguar liderëve evropianë, për më 17 mars paralajmëroi miratimin e propozimit ligjvënës në nivel evropian për “Certifikatë të gjelbër digjitale” (Digital Green Certificate), informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Fon der Lajen e përmend takimin e fundit më 24 shkurt kur në nivel të BE-së ishte biseduar për certifikatën për vaksinim dhe shkruan se është biseduar për “vendosje të certifikatave të standardizuara dhe interoperative me të cilat konfirmohet statusi Kovid-19 i njerëzve”, gjegjësisht a janë vaksinuar, a kanë test negativ ose tashmë e kanë kaluar Kovid-19 dhe shton se përfundimi i saj është se e gjithë kjo duhet të formulohet në propozimin ligjvënës për “Certifikatë të gjelbër digjitale” të cilin Komisioni planifikon ta miratojë më 17 mars.
Tha se qëllimi është që të lehtësohet lëvizja e lirë e qytetarëve, aty ku është e arsyeshme dhe sa është e nevojshme.
“Qëllimi kryesor i certifikatës interoperative me të cilën konfirmohet statusi Kovid-19 është që të sigurohet aty ku njerëzit mund të kenë lëvizje të lirë pa rrezik për shëndetin publik, që të mund ta bëjnë atë. Njëkohësisht, duhet të jemi të sigurt se do ta parandalojmë diskriminimin e atyre të cilët nuk mund të vaksinohen, për shembull për shkaqe mjekësore ose sepse nuk janë pjesë e grupit për të cilin për momentin rekomandohet vaksinimi, por të cilët për shkaqe të tjera (për shembull rezultat negativ të testit) nuk përfaqësojnë rrezik material për shëndetin publik”, shkruan kryetarja e Komisionit Evropian.
Shton se që të futet sistem interoperativ në Union, jo vetëm që nevojitet kornizë ligjore, por duhet të përfundojë edhe pjesa teknike si në BE, ashtu edhe në nivel kombëtar për dhënien e certifikatave përmes kornizës së besimit të BE-së, ndërsa pastaj, që sistemi të fillojë të funksionojë pasi të përfundojë puna në nivel të Unionit, nevojitet që menjëherë të ndërmerren aktivitete në nivel kombëtar.
Fon der Lajen shkruan se, Komisioni punon me vendet anëtare “për vendosjen e kornizës së besimit dhe infrastrukturë digjitale e cila do ta lehtësojë autenticitetin e certifikatave për vaksinim, për testim dhe për Kovid-19 të kaluar”, diçka që duhet të përfundojë në tre muajt e ardhshëm, ndërsa “baza e qasjes së tillë të përbashkët është besimi”.
“Autoriteteve në një vend anëtar iu duhet garanci se informacionet e përfshira në certifikatë të dhënë në një vend tjetër anëtar janë të besueshme, se certifikata është origjinale dhe se i takon atij që e posedon”, sqaron kryetarja e KE-së, transmetoi MIA.
Paralelisht, vendet anëtare duhet të kenë sistem onllajn për verifikim.
“Sistemi i BE-së mund të punojë vetëm nëse sistemet adekuate kombëtare janë vendosur në kohë. Kjo kërkon që vendimet tashmë të miratuara të zbatohen, elementet e tjera të dakordohen shpejtë dhe shpejtë të miratohet korniza ligjore”, shkruan Fon der Lajen.
Në fund të letrës thotë se e gjithë kjo çështje duhet të jetë prioritet që të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve.