Folklori, ana e zgjedhur e prezantimit

Evis HALILI

Shkup, 15 shkurt – Prezantimi i kulturës dhe artistëve shqiptarë në botë këtë vit dominohet nga pjesëmarrje në festivalet folklorike, dramës, librit…, ekspozitat e artistëve figurativë, e të tjera. Sipas Ministrisë së Kulturës, projektet shqiptare në Sektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar këtë herë veçohen për numrin, që është më i madh se vitet e tjera, shkruan gazeta KOHA. Por, nëse koncertet, ekspozitat janë më të rralla, prezantimet folklorike dominojnë programin e këtij viti. Ndërsa destinacioni i prezantimit, kryesisht është Turqia, Shqipëria, Bullgaria, Franca e të tjera. Në Turqi prezantimi i kulturës dhe artistëve shqiptarë është më i plotë. Teatri Shqiptar i Shkupit, do të marrë pjesë në Festivalin e Dramës që organizohet nga Teatrot shtetërorë të Turqisë, ndërsa krijimtaria letrare do të prezantohet në Panairin ndërkombëtar të Librit nga Lidhja e Botuesve Shqiptarë. Po në Turqi do të prezantohet edhe disa ansamble të këngëve dhe valleve, Përkatësisht, ansambli “Ibe Palikuqi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Bartin. Ndërsa ansambli “Emin Duraku” do të jetë pjesë e Festivalit ndërkombëtar folklorik në Altinova. Ndërsa Shoqëria kulturore artistike “Xheladin Zeqiri” nga Tetova po ashtu do të marrë pjesë në një prej festivaleve ndërkombëtare folklorike në qytetin e Byjik Çekmexhe. Numri i prezantimeve folklorike është më i madh, sesa në çdo sferë tjetër të kulturës, krahas këtyre ansambleve në festivale të tjera të folklorit, si në Shqipëri, Qipro, Francë, Ukrainë e Mal të Zi, do të marrin pjesë edhe grupe të tjera artistike të këngëve dhe valleve, si “Burimet e Sharrit”, “Tingujt e Karshiakës”, “Drita e Dërvenit”, “Jehona e Malësisë”, “Bajram Shabani”, “Jahi Hasani” e të tjera. Shoqata artistike kulturore “Alegreto” nga Tetova po ashtu do të organizojë në Londër, Britaninë e Madhe koncertin „Albanian Soul“, së bashku me “London Thames Orchestra“. Kori i femrave “Menada” nga Tetova po ashtu do të marrë pjesë në Festivalin ndërkombëtar në Krakovë, Poloni. Sa i takon ngjarjeve kulturore që zhvillohen në dy Qendrat e kulturës së Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bullgari, përkatësisht në Qendrën e Kulturës në Nju Jork do të prezantohen artistët Ali Sinani dhe Burim Ajdini me projektin “Peizazh gjurmësh”. Në Qendrën e Kulturës në Sofje do të çelen ekspozitat e artistëve Ilirijan Beqiri dhe Bashkim Mexhiti, si edhe do të mbahen koncertet e Duo Shkupit dhe Mimoza Keqës. Si projekte kryesore të bashkëpunimit ndërkombëtar, pjesë e Programit të Qeverisë 2014-2018 janë projektet “Kokino-brend maqedonas”, prezantimi i trashëgimisë kulturore maqedonase në botë me përdorimin e teknologjisë së re, “Qendra rajonale e muzikantëve të rin j nga Europa Juglindore në memorialin Toshe Proeski”, projekti “Krijimi i muzeut virtual teatror në TNM”, e të tjera.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.