Evis HALILI
Shkup, 5 janar – Koncerte, ekspozita, mbrëmje poetike…, gjithsej 82 projekte të ndryshme kulturore janë realizuar në qytete e fshatra si pjesë e manifestimit “Vala e re kulturore”. Ministria e Kulturës këtë vit ndryshoi jo vetëm emërtesën, por edhe destinacionin dhe formatin e manifestimit tradicional, që vitet e tjera realizohej nga vetë komunat. Shoqëri kulturore, asosacione, artistë e të tjerë u bënë pjesë e këtij manifestimi të ndarë në dy faza që u mbyll në muajin dhjetor.
Ndërsa vetë “Vala…”, kaloi nëpër pjesën më të madhe të vendbanimeve shqiptare. Po ashtu, mbi 30 për qind e fondit të dedikuar për këtë manifestim (mbi 10 milionë denarë) u akordua për aktivitetet që lidheshin me kulturën shqiptare, që në pjesën më të madhe iu ndanë grupeve dhe shoqërive folklorike (mbi 800 mijë). Po ashtu, një pjesë tjetër e aktiviteteve të zhvilluara në komunat shqiptare ishin performanca nga grupe roku, muzikë klasike, ekspozita të artit figurativ, mbrëmje poetike, e të tjera. Interesimi i aplikantëve për “Valën e re kulturore” ka qenë më i madh në fazën e parë të konkurrimit, ndërsa në fazën e dytë janë paraqitur më pak projekte.
“Me valën e re kulturore u inkurajuan shoqatat, asosacionet, fondacionet dhe individët nga sfera e kulturës që të krijojnë projekte të pavarura ose koproduksione mes tyre, të atilla që të jenë lehtësisht të transferueshme nga një ambient në tjetrin. Kështu u përmbush edhe një tjetër qëllim i manifestimit, që është demetropolizimi dhe decentralizim konkret i përmbajtjeve kulturore. Janë realizuar projekte inventive dge inovative nga të gjitha sferat e kulturës, projekte me zhanre të ndryshme, shprehje dhe vlera bashkëkohore kulturore dhe artistike, si koncerte sofistike, kor, ansamble folklorike, grupe këngëtarësh…,”, thuhet ne njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Ky manifestim që për gati dhjetë vjet është zhvilluar muajve të verës, këtë vit u zhvendos për shkak të ndryshimeve që pësoi, por edhe dilemave që të mënjanohej për shkak të borxheve të akumuluara. Qëllimi mbeti i njëjtë, demetropolizimi i kulturës dhe zhvendosja e ngjarjeve kulturore nga qendra në periferi, qytete e fshatra, ndërsa u realizua me moton që është bërë pjesë e strategjisë së re të Ministrisë së Kulturës – “kulturë tek të gjithë – për të gjithë”.
Risi për këtë vit ishin edhe ambientet ku u zhvilluan aktivitetet. Përveç institucioneve, si shtëpive e qendrave të kulturës, u vunë në funksion edhe ambiente të tjera alternative, sidomos edhe të lokacione të braktisura të cilat “restartuan” si skena artistike. Në njoftimin e Ministrisë së Kulturës po ashtu thuhet se me dizajnin e konkursit u lehtësuan maksimalisht procedurat e aplikimit, duke mundësuar kështu akses edhe për ata artistë që nuk janë shumë të predispozuar për t’u marrë me formalitetet e aplikimit, por që kanë potencial kreativ dhe ide të mira, të cilëve iu është dhënë mbështetja e duhur për të tejkaluar këto procedura. (koha.mk)