FMN: Krizë ekonomike më e thellë se ajo e 2008-s

14

Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideron krizën ekonomike që po shkakton pandemia e Covid-19 si më të rëndën në histori që prej krijimit të FMN-së dhe shumë herë më të thellë se krizën financiare të 2008-s. Pohimin e ka bërë drejtorja menaxhuese e Fondit, Kristalina Georgevia gjatë një konference të përbashkët me Organizatën Botërore të Shëndetit.

“Kurrë më parë në historinë e FMN-së nuk kemi parë që ekonomia të përjetojë një stanjacion të tillë. Ne jemi që tani në recesion dhe është shumë më i thellë se recesioni gjatë krizës financiare globale”, tha ajo. Ajo kërkoi që të gjithë shtetet të punojnë bashkë për të shpëtuar ekonomitë. “Të shpëtosh jetë dhe të sigurosh jetesën duhet të shkojnë bashkë. Nuk mund të bëjmë njërën pa tjetrën.”

Kërkesat e shteteve për të marrë hua nga fond i emergjencës të FMN-së janë rritur si kurrë më parë. Vetëm Fondi ka vënë në dispozicion një paketë prej 1 trilion dollarësh për të zbutur efektet e krizës, ndërsa për vendet e varfra Georgevia tha se do të jepen grante. “Nuk kemi parë kurrë një kërkesë kaq të madhe të vendeve për hua emergjente nga ne. Përveç paketës 1 trilionë dollarë do të japim dhe grante për më të varfrit.”

Për këtë vit, Fondi parashikonte se ekonomia globale do të kishte një rritje të konsiderueshme, mbi 3.3%, ndërsa tashmë shpresat janë që rritja të jetë mbi 0. Në krizën ekonomike globale, rritja e ekonomisë botërore ishte 0.8%.

Comments are closed.