Një prej emrave më të njohur të skenës kinematografike në Kosovë e më gjerë është dhe Flurua Zeneli. Vajza me sytë e shkruar që bëri revolucion në skenën filmike tek shqiptarët, ajo që me rolet e saja theu zemrat e shqiptarëve e që dikur ekrani shkëlqente nga bukura dhe talenti i saj sot vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA. Ndonëse shumë kohë nuk keni lexuar gjëra të bukura për të, sot keni mundësinë të njihni më afër. Ku është, çfarë bën e ku ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si ndiheni tash kur dikur keni qenë një nga aktoret më të famshme në kinematografinë shqiptare?
Të them të drejtën nuk e mendoj se dikur kam qenë njëra ndër aktoret më të famshme të kinematografisë, ndjehem mirë kurdo që unë punoj punën time dhe jam gjithmonë e kënaqur me rezultatet e punës sepse e di se gjatë punës kam dhënë maksimumin nga vetja ime, është gjë e mirë sepse puna ime është punë ekipore dhe kur bashkohen të gjitha ato energji gjithsesi se nuk mungon rezultati dhe kur ka rezultat sigurisht se ndihesh mirë në çdo fazë të punës dhe çdo fazë të jetës.
KOHA: Periudha e paraluftës dhe gjatë luftës ka qenë e përmbushur me shumë projekte, ke xhiruar edhe nëpër kohëra të vështira, megjithatë ia ke dal me shumë sukses?
Sigurisht, ato kohëra kanë qenë shumë të vështira e kam thënë disa herë, por që ajo kohë nën okupim mendoj se na ka dhënë edhe më shumë vullnet e dashuri për punën, kemi qenë më të bashkuara në mendime e në veprime, me gjithë rreziqet që kemi pasur në atë kohë besoj se ne kemi qenë fitimtarë me gjithë ato projekte që i kemi bërë fshehurazi, janë disa projekte që njerëzit nuk i kanë harruar edhe që ende i përmendin sapo më shohin në rrugë apo kudo tjetër, njëra ndër ato ka qenë edhe drama televizive Qëndresa, por mendoj se rreziqet më të mëdha kanë qenë kur para luftës kur rrugët ishin të mbushura me ushtarë e paramilitarë serb neve na duhej të vazhdonim jetën artistike dhe çdo natë luanim komedi në teatrin Dodona, ajo ishte lufta jonë e dëshira për të mbajtur njerëzit në disponimin më të mirë dhe për të hequr sado pak mendjen nga gjendja tejet e rënduar në Kosovë.
KOHA: Mban ende kontaktet me njerëzit që të kanë dashur atë kohë, që të kujtojnë atë vajzën me sytë e bukur që luante rolin e Qëndresës?
Kontakte jo …por që njerëzit nuk përtojnë të më shkruajnë ndonjëherë dhe të më ndalin në rrugë për të më dhënë komplimente për atë projekt që është xhiruar mes viteve 1996-1997 pra ajo periudha që e përmenda pak më parë kur Kosova ishte nën okupim dhe po lëngonte tej mase.
KOHA: Fëmijërinë e ke kaluar në Kosovë ndërkohë që je zhvendosur për të jetuar në Francë, si ka ndikuar ky vend në formimin e karakterit dhe identitetit tënd?
Po është e vërtetë…sado që fëmijëria ime ka qenë e mirë dhe e lumtur mendoj se këto situata të rënda që e kanë përcjellur fëmijërinë time dhe adoleshencën time do të mbesin në kokë përgjithmonë. Sa i përket Francës, jeta atje më ka ndryshuar shumë si në mënyrën e të menduarit si në mënyrën e të punuarit mendoj se jam pasuruar më shumë shpirtërisht dhe jam formuar pak më ndryshe.
KOHA: Të gjithë kujtojnë se jeni një beqare e llastuar, duke pasur parasysh atë vajzën kapriçoze, por në fakt ti je shumë e thjeshtë dhe e dashur?
Mendoj se çdo femre i shkon pak të jetë kapriçoze, mendoj se jam vajzë modeste (që ndonjëherë ka shkuar në dëmin tim) dhe e dashur shumë sepse nuk e imagjinoj jetën as botën pa dashuri. Duhet të japim shumë dashuri sepse do të marrim edhe më shumë nga të tjerët. Duhet të mundohemi të përçojmë energji pozitive tek njerëzit sepse tek e fundit, ne nuk bëjmë asgjë tjetër përveç se shkëmbejmë energjitë tona tek njëri tjetri.
KOHA: Cila ishte profesioni i ëndërruar para se të bëhesh aktore?
Ehh, gjithmonë biseda po lidhet me kohërat e paraluftës fatkeqësisht nuk kam arritur të shkollohem për profesionin që e kisha ëndërruar kisha filluar shkollën si e vogël por që na e mbyllën serbët, për neve si fëmijë ishte e pakuptimtë pse ne nuk mundeshim të vazhdonim shkollën, nuk e dinim pse na është mbyllur shkolla, çdo gjë po bëhej e pakuptimtë për ne fëmijët e asaj moshe. Nuk dinim se çka donin të thoshin më të rriturit kur na e përsërisnin se situata është shumë e keqe në Kosovë. Atë ëndërr e kam peng në zemër edhe sot, unë nuk arrita pra të bëhem balerinë por mendoj se u bëra një njeri i thjeshtë dhe i dashur, mendoj se u bëra aktore dhe nuk ishte rastësi, tek e fundit është e vetmja punë që më përmbush shpirtërisht.
KOHA: Rolet që keni luajtur e reflektojnë personalitetin tënd?
Jo unë mendoj se personazhet që kam luajtur nuk kanë reflektuar në mua, është e kundërta. Unë personalitetin tim mundohem ta përçoj tek publiku duke e shkrirë në personazhet që luaj, dhe besoj se kur bëhet një përzierje e të dyjave është më e fuqishme dhe më e natyrshme.
KOHA: Për mendimin tënd, çfarë i bën gratë të bukura dhe të veçanta?
Thjeshtësia dhe sinqeriteti që del nga shpirti.
KOHA: Cili është çelësi i lumturisë për ty?
Rehatia shpirtërore s’ka çmim edhe pse ndonjëherë është vështirë të punosh me veten për të qenë gjithmonë në qetësi shpirtërorë dhe të mbash urtësinë brenda vetes duhet të mundohemi të jemi.
KOHA: Cila është këshilla më e mirë që keni marrë nga nëna juaj?
Shumë këshilla kam marrë si nga gjyshja si nga mami, por po e them njërën Të jem gjithmonë vetvetja.
KOHA: Cili është sekreti i bukurisë suaj?
Nuk e di, të them sinqerisht kurrë nuk kam menduar se jam e bukur e as që mundohem të bëhem e bukur, as me grim e as pa grim apo me ndonjë stil të veshjes. Sapo e thash këshillën e mamit jam gjithmonë vetja ime dhe jap atë që e ndjej në shpirt dhe ndoshta sekreti tek secili nga ne, është brendësia jonë, shpirti, mënyra e të menduarit thjeshtë ajo çka ne e shfaqim në sytë tanë.
KOHA: Çfarë veshjesh mbizotërojnë në gardërobën tënde?
Nuk jam shumë e dhënë pas rrobave, në gardërobën time ka gjera që i kam pasur edhe para 10 apo edhe 20 viteve bëj përmirësime, ndërroj ndonjë detaj të vogël dhe i përdor sot e kësaj dite kryesisht kam gjëra klasike. I dua rrobat me ngjyra të hapura, kam shumë pak ngjyra të errëta në dollapin tim.
KOHA: Një ditë e jotja pushim si është?
Asnjëherë nuk është njësoj, ndonjëherë mundohem t’i kaloj me familjen ndonjëherë me miket e mia, shpeshherë udhëtoj, apo dal në shëtitje me biçiklete nuk e di varet nga disponimi. Tani që jam kthyer në Kosovë nga marsi i këtij viti të them të drejtën nuk kam pasur shumë kohë për pushim. Kemi rifilluar Tre gjermanët e trashë gjë të cilën ndoshta lexuesit e gazetës tuaj nuk e dinë, kështu që mes provave, xhirimeve, familjes dhe njerëzve të zemrës nuk po kam shumë kohe të pushoj.
KOHA: Planet për të ardhmen?
Nuk e kam shumë zakon të bëj plane, kam dëshirë të jetoj jetën si të më vijë, tani për tani jam në Prishtinë në qytetin tim të lindjes, po punoj me kolegët e mi që më kanë munguar shumë gjatë nëntë viteve që isha në Francë, për më vonë nuk e di duke parë e duke bërë.