E re dhe shumë entuziaste, është kjo vajza nga Tetova e cila ka nisur karrierën muzikore si një këngëtare profesioniste. Flutura Ajdari deri më tani ka realizuar disa projekte muzikore e shumë të tjera i ka në pritje e këto i tregon në një bisedë të realizuar për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kush është Flutura jashtë skenës, pasi keni një identitet muzikorë?
Jam njësoj edhe në jetën e përditshme, më karakterizon e njejta thjeshtësi, vetëm se skena kërkon përkujdesje më të madhe dhe ka emocione të forta.
KOHA: Mbani mend këngën e parë që keni kënduar dhe si ka nisur pasioni për muzikë?
Që e vogël mbaj mend improvizimet e para që bëja me veglat që gjeja nëpër shtëpi, në fillore kam kënduar këngën Kanarina me të cilën jam paraqitur në koncerte për fëmijë.
KOHA: Po zhanri që pëlqen më shumë?
Të gjitha zhanret i dëgjoj, më të preferuarit e mi janë pop dhe rock, por dëgjoj me ëndje edhe muzikën popullore.
KOHA: Dashurisë a i këndon?
Po edhe secilës temë tjetër që paraqet interes, nevojë dhe ndjellë kureshtje në publik, tek e fundit secili që merret me art e ka mision t’i vë në dukje këto fenomene shoqërore.
KOHA: Si e nise vitin dhe cili është projekti i fundit që ke realizuar?
Për fat të keq nuk është lehtë të ia dalësh në fund një projekti muzikor sot, krahas shpenzimeve të majme që nuk je i sigurt nëse do bëjnë rrotacion, raportet njerëzore dhe kolegiale sa i përket bashkëpunimeve janë shumë të vështira, duhet të bësh kompromise të shumta, megjithatë në vazhdimësi bëj projekte për muzikën edhe pse unë me profesion primat jam arkitekte dhe jam e përkushtuar në atë pjesë, projekti i fundit për momentin është ai i Këngës Magjike, ‘Vjeshtë e vonuar’.
KOHA: Po mbështetja jote kryesore?
Familja.
KOHA: Me kë punon projektet muzikore?
Jam e hapur për secilin bashkëpunëtorë, e rëndësishme është që të del një projekt i mirë dhe të dalim të kënaqur të gjithë.
KOHA: Mendimi juaj për emrat e rinj të skenës muzikore?
Mund të them përgjithësisht pozitiv edhe pse kam shumë rezerva në mënyrën e të interpretuarit të këngëve sot me të gjitha elementet përbërëse, unë jam pro ecjes me trendet botërore por mbi të gjitha vlerësoj origjinalitetin.