Jeta mes Italisë dhe malli për Shqipërinë, një humbje që ka gjurmë të thella në shpirtin e tij, një ikje e befasime që trazoi zemrën e vogëlushit të atëhershëm, dashuria për të ëmën e në veçanti për muzikën, përlushtimi ndaj atyre që ka pranë u bë krahë për rrugëtimin e Florenc Banushit në muzikë. Këngëtari vjen në një rrëfim për gazetën KOHA për të treguar më shumë rreth sprovave jetësore, që e bën më të fortë dhe pasionin e jashtëzakonshëm për muzikën e mirë, për të cilën thotë se sapo ka nisur një udhë e ndritshme. Projekte të punuara deri në detajet më të vogla, ndërsa të tjerat janë në procese pune për realizim. Për të gjithë ata që duan t’i kalojnë bukur këto ditë të nxehta, ne iu sugjerojmë këngët e Florencit
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Për ata që të njohin por edhe për ata që duhet të të njohin, kush është Florenc Banushi?
Florenc Banushi është një djalë shumë i thjesht, por në të njëjtën kohë edhe shumë i komplikuar. Më pëlqen gjithmonë të vë veten në rrezik për të tjerët. Dhe tatuazhi im i bërë në bark sqaron gjithçka. E quaj veten time “sui generis”.
KOHA: Ke një histori të veçantë për të na rrëfyer si je lidhur me muzikën?
Emigrova në Itali në moshën 17 vjeçare për të realizuar ëndrrën time, për t’u bërë futbollist. Muzikën e kisha si hobby, relaks në kohë të lirë, por brenda një viti u shua kjo ëndërr, pasi pësova një dëmtim në gju dhe më ngeli vetëm muzika. Kur isha 18 vjeç shkrova një këngë për babain tim, që më la jetim kur isha 5 vjeç, por për arsye familjare s’arrita ta realizoj këtë këng. U deshën plot 14 vite për të marr guximin e për të bërë këngën “Nei miei ricordi” (Në kujtimet e mia).
KOHA: Me cilën këngë mendon se ke lënë gjurmë të thella tek publiku?
Për mendimin tim dy projektet e para nuk patën shumë sukses sepse studioja, ku unë punoja ishin pak të aftë për të bërë çka unë doja. Me projektin e tretë që titullohej Solo tu, të cilin e kam shkruar për nënën time pata pak më shumë sukses. Edhe me produksionet e reja, që do të publikoj në vazhdim, synoj që të argëtohet publiku dhe ata që e duan muzikën.
KOHA: Ndërkohë,sapo ke sjellë këngë “Faje” një këngë që duket se zuri vend në zemrat e publikut sapo u publikua. Çfarë ke për të na thënë nga ato që s’thuhen në këngë për këtë krijim të ri?
Kënga e re me titull “Faje” është një këngë, që më prek sepse flet për dashurinë dhe ka një melodi që të bën të kërcesh. Mendoj që kemi nevojë për pak qetësi shpirtërore, dashuri, sidomos në ditët e sotme me këtë pandemi.
KOHA: Pse u vonua kaq shumë ardhja e kësaj kënge, sepse dimë që e ke sjellë me shumë kënaqësi por duket paksa edhe sikur ka pasur pengesa?
U vonua sepse desha të bëj më të mirën. Pata probleme me regjisorin, pasi më bëri një punë jo siç e doja dhe e vetmja gjë që s’më ngroh dhe aq është videoklipi. Kisha në mendje diçka më spektakolare. Po punoj natë e ditë për të përmirësuar gjithçka dhe për të pasur një staf profesional.
KOHA: Të veçojnë për kujdesin në imazh por edhe në interpretim… Është e lehtë të jesh ky që je dhe të pëlqehesh në gjithë “katrahurën” që dominon në muzikë?
Kam një stil të veçantë dhe shumë shpejt publiku do e kuptoj kush është Florenc Banushi dhe ç’di të bëj. Muzika, sot, ka marrë një rrugë jo të mirë. Shikoj gjithë këta repera, gangstera, që s’kanë fare lidhje me muzikën e nxisin vetëm urrejtje te të rinjtë e sotëm. Më e çuditshmja është që kanë dhe famë. Nga Florenc Banushi të gjithë ata që e duan muzikën e mirë do të dëgjojnë vetëm këngë pozitive.
KOHA: Jeta jote profesionale dhe jo vetëm është në Itali, a ka qenë e vështirë më fillimet e tua dhe a mendon se je në rrugën e duhur drejt suksesit të garantuar?
Siç thashë dhe më parë, sukses të garantuar në ditët e sotme kanë ata persona që s’ia kanë haberin muzikës dhe që kanë lekun. Por, unë jam shumë i sigurt në armaturën që kam. I kam vënë një qëllim vetes, të prodhoj muzikë të mirë. Kam besim në vetvete dhe duke filluar nga kjo këngë që sapo ka dalë e ato që do të dalin pas kësaj, ju siguroj se do të ketë vetëm bomba argëtuese.
KOHA: Çfarë do të na thuash në fund, një merak, ndonjë projekt që zien në mendjen tënde…
Jam duke punuar dy super projekte, një italisht që jam duke e punuar zhanri dance-drop, i cili do të jetë një super projekt. Gjithashtu dhe një projekt në shqip, që do të jetë një super hit. Dhe asgjë nuk mbaron këtu, është vetëm fillimi…