Aktivistët ekologjik dhe dashamirët e artit dhe kulturës kërkojnë që në zgjedhjet e 12 prillit, partitë politike në platformat e tyre elektorale prioritet ti japin problemeve ekologjike dhe zhvillimit të kulturës. Ato thonë se tani është koha të ndryshohet mentaliteti disa vjeçar i paraqitjes së politikanëve para elektoratit vetëm me tema të mëdha
Destan JONUZI
Shkup, 29 janar – Qytetarët e Maqedonisë janë mësuar që sa herë që vijnë zgjedhjet të dëgjojnë akuza e kundërakuza nga eksponentë të politikës për arritjet dhe dështimet e tyre në fushën e politikave të “mëdha”, të jashtme e brendshme. Mirëpo që nga pavarësimi i Maqedonisë e këndej thuaj se pak ose fare pak të jenë artikuluar në fushata zgjedhore problemet urbane e ndër-urbane me të cilat ballafaqohen për çdo ditë qytetarët. Kështu që problemet ekologjike, po të mos ishte alarmi i madh i ndotjes së ajrit nuk do të ishin asnjëherë në qendër të vëmendjes së politikës dhe opinionit. Po ashtu edhe temat që kanë të bëjnë me zhvillimin e jetës kulturore në vise dhe komuna rurale e urbane nuk kanë qenë aq të theksuara.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka deklaruar se për problemet ekologjike, ajrin e ndotur etj., duhet të merren masa siç kanë marrë vendet e Bashkimit Evropian (BE).
“Duhet të punohet në drejtim të kanalizimeve, ndërtimit të impianteve për zhdukjen e plehrave, për pastrimin e ujërave të zeza etj. Të merren masa rigoroze ndaja atyre tymnajave që bëhen. Një nga ato masa është edhe gazifikimi që i bëhet rajonit të Pollogut. Ngrohja dhe shërbimet e amvisërive të bëhen kryesisht nëpërmjet gazit, dhe jo përmes lëndëve tjera, drurit e naftës”, ka deklaruar mes tjerash në intervistën e tij të fundit Ahmeti për Klan Maqedoni.
Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) për gazetën KOHA deklaruan se herët është për tu shpalosur platforma elektorale për zgjedhjet e 12 prillit, por se ata përveç shtyllave që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe të jashtme, ekonominë, drejtësinë, arsimin, në platformë do të ngërthejnë edhe temën e ekologjisë dhe kulturës.
Edhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit është në përpilim e sipër të platformës zgjedhore të 12 prillit, por për KOHA theksojnë se për ekologjinë dhe kulturën partia e tyre do të ketë një ofertë pragmatike para qytetarëve.
Aktivistja qytetare, Valbona Reka thotë se neglizhenca e partive politike në Qeveri, mospasja qasje më serioze ndaj këtyre problemave, mosndërmarrja e masave në formë të fuqishme janë arsyet që ne sot kemi numër të rritur të të sëmurëve nga kanceri.
“Unë pres se partitë politike opozitare në platformat elektorale ta kenë si numër një në listën e zotimeve për ndryshim çështjen e ajrit dhe mjedisit të ndotur, pra ekologjinë. Po ashtu, pres angazhim të ekspertëve të fushës së ekologjisë nga ana e këtyre partive opozitare dhe investime në këtë drejtim. Për këtë problematikë me të cilën në vazhdimësi po ballafaqohemi dhe nuk po arrihet rezultat”, deklaroi për KOHA, Reka.
Në anën tjetër, aktori i Teatrit shqiptar dhe drejtor i Festivalit të Teatrove “Skupi Festival”, Muzbajdin Qamili thotë se politikanët në përgjithësi në Maqedoni për kulturën flasin shumë e bëjnë pak.
“Për kulturën flasin shumë, por bëjnë pak! Nëse do të bëhej gjysma e asaj çfarë thuhet në fushatë për kulturën sigurisht që kultura do ti kishte shumë më mirë punët. Do Zoti këtë fushatë të flasim për gjëra konkrete në kulturë dhe të shpresojmë se gjërat do të shkojnë ashtu si duan artistët, pasi që kultura është shtylla kryesore e një kombi”, deklaroi për KOHA, Qamili. Megjithatë, shton ai, kohëve të fundit gjërat kanë lëvizur për mirë.
Ndryshe, Qeveria tanimë ka shpallur edhe masa të jashtëzakonshme në Shkup dhe Tetovë, për shkak të ndotjes së lartë të ajrit. Të gjithë punëdhënësit duhet t’i lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe ata me astmë kronike, goditje në tru, ose që kanë përjetuar infarkt. Punëdhënësve u kërkohet të riorganizojnë orarin e tyre të punës, dhe rekomandohet të mos organizohen gara sportive dhe ngjarje kulturore në vende të hapura. Nga ora 18:00, shërbimi publik i autobusëve në Shkup është falas, ndërsa parkimi është dy herë më i shtrenjtë. Masat do të qëndrojnë në fuqi, derisa të tejkalohet ndotja e madhe e ajrit, njoftuan nga Qyteti i Shkupit.