Greqia nuk mundet në pafundësi për badihava paqen sociale me paratë e Europës, kurse në anën tjetër bën obstruksione që i shkojnë për shtati Rusisë. Kjo i bie që tërthorazi Brukseli po e financon ndikimin rus përmes Greqisë, duke e përdorur territorin e Maqedonisë si “bankomat” të flirteve misterioze gjeopolitike. I vetmi faktor që mund të shpartallojë këto flirte është Amerika
Nga Emin AZEMI
Rajoni i Ballkani kaloi nëpër faza të ndryshme turbulencash e sfidash politike, ekonomike, ushtarake etj. Mungesa e vullnetit të elitave politike për të ofruar zgjidhje që do të ishin të pranueshme për palët, imponoi nevojën e ndërhyrjes nga jashtë të faktorëve politikë e ushtarak. Në vitin 1999 një ndërhyrje e tillë u kurorëzua me çlirimin e Kosovës dhe për herë të parë po demonstrohej në praktikë një formë e kombinuar e solidaritetit ushtarak e diplomatik. Fryt i kësaj ndërhyrjeje, tani është shteti i Kosovës, por rrëfimi për një histori suksesi ka ngecë në gjysëm të rrugës.
Atëherë kur Presidenti amerikan Bil Clinton thoshte se “ne fituam luftën, kurse ju duhet të fitoni paqen”, gati nga askush nuk u kuptua drejt. Më së paku u kuptua nga politikanët axhami, të cilët dhuratën miqësore të europianëve e amerikanëve – paqen dhe sovranitetin e garantuar – e kthyen në trofe plaçke,në grindje vëtëshkatërruese dhe në lëshime absurde ndaj pretendimeve të Serbisë. Se çfarë sovraniteti gëzon aktualualisht Kosova, mjafton të shihni urën e Ibrit, atje ku Rusia vazhdon të shtrijë ndikimin e saj tepër problematik.
Përvoja e këtyre dy dekadave, megjithatë ka provuar një fakt të pakundërshtueshëm se qasja e Brukselit dhe e Uashingtonit kundrejt problemeve të Ballkanit herë herë ka qenë diamteralisht e ndryshme. Një ilustrim më shkollor për këtë konstatim mund të jetë Kosova, e cila asnjëherë nuk do të mund të absorbonte simpatinë ndërkombëtare, poqese nuk do të ishte aktive diplomacia e Amerikës. Kjo mund të thuhet edhe tani për Maqedoninë, e cila assesi nuk po mundet ta tejkalojë kontestin që ka me Greqinë rreth emrit të shtetit. Si duket janë pjekur kushtet që Brukseli të bëjë një farë pauze dhe t’ia lëshojë rëndin buldozerëve diplomatikë të Uashingtonit.
Në Maqedoni askush nuk e thotë hapur, por tash më është e qartë se në këtë pjesë të Ballkanit po ndeshen me të madhe interesat ruse dhe ato perëndimore, kurse kontesti me Greqinë po përdoret vetëm si pretekst për të zvarritur zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ndikimi rus po e keqpërdor këtë kontekst duke manovruar marshin e fundit të rezistencës anti-NATO dhe anti-SHBA. Maqedonia është viktimë e përplasjeve Rusi-Perëndim, kurse Brukseli dhe Uashingtoni nuk duhet të tregohen kaq “të kujdesshëm” ndaj ankesave historiko-antropologjike greke, sepse në fakt me gojën e Athinës po flet Moska. Kjo e fundit nuk po mundë të pajtohet që NATO të shtrijë infrastrukturën e saj politike e ushtarake edhe në këtë pjesë të Ballkanit , prandaj është më se i domosdoshëm një riaktivizim i diplomacisë amerikan në drejtim të zgjidhjes së kontestit Greqi-Maqedoni. Uashingtoni do të duhej të emëroj një të dërguar të posaçëm që do të merrej ekskluzivisht me këtë problematikë, sepse çdo zvarritje mund të shpie në skenarë që askush nuk i dëshiron. Greqia nuk mundet në pafundësi për badihava paqen sociale me paratë e Europës, kurse në anën tjetër bën obstruksione që i shkojnë për shtati Rusisë. Kjo i bie që tërthorazi Brukseli po e financon ndikimin rus përmes Greqisë, duke e përdorur territorin e Maqedonisë si “bankomat” të flirteve misterioze gjeopolitike. I vetmi faktor që mund të shpartallojë këto flirte është Amerika. (koha.mk)