Tragjedia që ka ndodhur sot në Kolumbi ka tronditur botën e futbollit, pasi është shuar një skuadër e tërë. Futbollisti brazilian në radhët e Shkëndijës, Stenio Zhunior, gjithashtu e ka përjetuar shumë rëndë këtë ngjarje. “Çka të them, tragjedi e madhe për futbollin brazilian, por edhe botëror. Nuk kam fjalë, pasi kjo ndjenjë dhemb në shpirt dhe nuk përshkruhet me fjalë. Gjithë ditën jam në shok… nuk mund ta heq nga koka këtë tragjedi. Kam ndjekur gjithë kohën këtëskuadër dhe bëja tifo të fitojnë trofeun. Vetëm pesë ditë më parë ishin aq të gëzuar pasi kaluan gjysmëfinalen dhe u kualifikuan për në finale, mirëpo shikoni se si përfundoi gjithë ai gëzim! Tragjedi, dhembje dhe dëshpërim. Mirëpo, kjo nuk mund të kthehet prapa, ka qenë e shkruar të ndodh. Këto raste duhet të na shërbejnë si mësim se duhet të jemi të kujdesshëm në çdo veprimin tonë, pasi mund të rezultojë i fundit dhe njeriu duhet të lë vetëm përshtypje pozitive, sepse jeta është e shkurtër. Kjo është ajo që mund të them, sinqerisht jam shumë i goditur, por jeta vazhdon me gjithë të mirat dhe të këqijat që na godasin”, deklaroi për gazetën KOHA Stenio Junior. (B.KURTAJ)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.