Flet trashëgimtarja e Disneyt: Mendojnë se jam rritur në përrallë

Kur mendon për trashëgimtaren e mbiemrit Disney, mendon një fëmijëri plot lumturi, me akses të palimit tek argëtimi i ëndërruar i Disneyland-it. Por ky nuk është aspak rasti i Abigail Disney-t, mbesës së bashkëthemeluesit të kompanisë Walt Disney, Roy O. Disney.

Abigail tregoi e ftuar në emisionin “Përmes syve të saj” në “ET” se ndërsa nga jashtë dukej një fëmijë i privilegjuar, në shtëpine e vet kishte abuzim me alkoolin dhe dhunë.

“Njerëzit mendojnë se unë jam rritur mes përrallës dhe pluhurit të zanave”, u shpreh Abigail, “Prindërit e mi ishin striktë dhe shumë konservatorë. Dhe që të dy të alkoolizuar.”

Abigail pranoi se dhuna e pësuar në fëmijëri e shenjoi për tërë jetën.

“Në shtëpinë tonë kishte dhunë. Jo kudo, jo gjithmonë. Megjithatë, kur bie pre e dhunës në fëmijëri, nuk ndihesh kurrë më e sigurt. Ne në shtëpi nuk ndiheshim fare të sigurt.”

E pyetur nëse dhuna që kishte përjetuar ishte e natyrës emocionale apo fizike, ajo u përgjigj: “Të dyja.”

Abigail Disney e konsideroi largimin nga shtëpia për shkollën e lartë si një çlirim nga burgu, si një moment të vërtetë shpëtimi.

Sot, ajo i është dedikuar aktiviteteve të natyrës filantropike, duke themeluar Fondacionin Daphne, që i shkon në ndihmë shtresës së varfër dhe të pastrehë të New York-ut.