Këshilla nga më të ndryshmet për një higjienë më të madhe orale mund të lexoni në vazhdim gjatë intervistës të realizuar me stomatologen Ersida Calja e cila tregon mbi punën dhe mënyrën se si duhet mirëmbajtur higjiena orale, të gjitha këto në InfraRed të gazetës Koha
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Doktoreshë Ersida, ti je e njohur në arenën mediatike shqiptare për punën që bën si stomatologe mjaft e njohur në shëndetin dhe estetikën e dhëmbëve, dhe ne do donim të nisin intervistën paksa ndryshe, si është një ditë e jotja në punë?
Për të qenë e sinqertë dita ime nis herët. Pas një kafeje të shpejtë dhe telefonatat me familjen nis puna në orën 9:00 në Klinikën Dentare Brilant. Orari zyrtar nis në orën 9:00-20:00, kështu që pothuajse gjithë ditën e kaloj aty dhe jam gjithë kohës e zënë me punë. Sigurisht që ka ditë që shkëputem për të kryer edhe obligime të tjera të mijat por që këto zënë pak kohë, pjesa tjetër është tërësisht në klinikë dhe për klinikën.
KOHA: A kërkon sakrifica ky profesion?
Kërkon përkushtim, kërkon kohë dhe shumë studim, kërkon specializim në trendet që hyjnë kërkon të jesh koherente. Përveç këtyre mua më është dashur të sakrifikoj jetesën larg familjes dhe këtë e konsideroj si sakrificën më të madhe.
KOHA: Të dhuron kënaqësi puna që bën?
Sigurisht që marr shumë kënaqësi nga puna që bëj, pasi është një punë që e bëj me shumë pasion dhe dashuri. Falënderimet e pacientëve në fund të çdo procesi pune më bëjnë ta dua akoma më shumë këtë profesion.
KOHA: Si e mendon veten në një të ardhme përsa i përket profesionit?
Besoj shumë në vetvete dhe në aftësitë e mia. Planet më të afërta mbeten hapja e laboratorit dhe zgjerim i Klinikës poliklinike.
KOHA: Cilat janë grupmoshat që frekuentojnë klinikat dentare dhe konkretisht klinikën tuaj?
Fillimisht kanë qenë grupmoshat e reja por tani kanë ndryshuar gjërat. Tani Klinika Brilant është kthyer si klinika e familjes ku të rinjtë që erdhën në fillim tani sjellin gjithë familjarët e tyre të të gjitha grupmoshave.
KOHA: Gjithashtu, edhe shumë personazhe publike janë tashmë pjesë e klinikës tënde apo jo?
Po dhe i falënderoj që zgjedhin të besojnë klinikën “Brilant”, ata kanë provuar dhe parë rezultate sesi një buzëqeshje quhet brilante dhe pa dhëmbë të shëndetshëm kjo është pamundur. (Buzëqesh)
KOHA: Cilat janë problematikat më të shpeshta që hasni gjatë punës?
Problematikat janë të shumta. Zakonisht lidhen me grupmoshat. Nëse flasim për fëmijët problematik mbetet karriesi i shprehur në dhëmbët e qumështit apo probleme me keqrreshtimin e dhëmbëve. Në grupmoshat e të rinjve përsëri problematikat më të hasura mbeten dhëmbët e kariuar. Nëse flasim për grupmoshat e treta, problematik kryesore është mungesa e dhëmbëve dhe paradontoza (lëvizja e dhëmbëve).
KOHA: Doktoreshë më dole në temë, ne duam të dimë çfarë janë implantet dentare?
Implantet momentalisht janë mënyra më e mirë për të zëvendësuar një dhëmb të humbur për arsye nga më të ndryshmet. Implanti zëvendëson rrënjën natyrale të dhëmbit. Me aplikimin e implantëve sot nuk është më e nevojshme që kur mungon një dhëmb të sakrifikohen 2 dhëmbë të tjerë të shëndetshëm siç ka ndodhur masivisht ku pacientët shfaqen me ura pafund në gojën e tyre. Përbëhet nga material biokompatibël për organizmin e njeriut. Suksesi kur vendos një implant është 98% siguri.
KOHA: Mbetemi tek të rinjtë, çfarë shërbimesh dentare kërkojnë më tepër?
Të rinjtë më tepër janë të fokusuar drejt estetikës dhe perfeksionit të buzëqeshjes së tyre. Sigurisht Klinika Brilant ua mundëson një gjë të tillë pasi fokusi kryesor mbetet shëndeti dhe estetika e dhëmbëve. Në funksion të estetikës ekzistojnë zbardhimit profesionale, fasetat emax etj.
KOHA: Çfarë i këshilloni të gjithë lexuesve të gazetës sonë?
Këshilla parësore mbetet kujdesi i përditshëm i higjienës orale. Këshilla tjetër por jo më pak e rëndësishme është që çdo person duhet të kryej vizita periodike çdo 6 muaj për të parandaluar çdo problem të mundshëm me dhëmbët e tij. Parandalimi gjithmonë mbetet më i mirë se sa trajtimi.