Flet Platini pasi lirohet nga policia franceze

Ish-presidenti i UEFA-s dhe legjenda e futbollit, Michel Platini, është liruar nga policia franceze, që është duke i hetuar akuzat për korrupsion gjatë vendimit për dhënien e të drejtës së organizimit të Kampionatit Botëror 2022 Katarit.

63-vjeçari, i cili e mohon të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar, u morr për intervistim të martën në Paris, nga zyra kundër korrupsionit e Policisë Gjyqësore, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.  Ai u mor në pyetje për rreth 15 orë, para se të lirohej në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës.

Asnjë akuzë nuk u shtrua drejt Platinit, i cili foli pas lirimit të tij: “Kam qenë gjithmonë i sinqertë sepse ndihem plotësisht i huaj nga këto çështje”.

“Ky është një rast i vjetër, e dini ju, e kemi sqaruar. E kam deklaruar gjithmonë me transparencë të plotë në të gjitha gazetat. Kjo është e gjitha. Puna vazhdon, ata po hetojnë, ata po kërkojnë”.

“Unë supozohej të arrija si dëgjues i lirë, erdha dhe menjëherë u mora nga policia. Kjo lëndon gjithçka që unë mund ta imagjinoj, çdo gjë që kam bërë. Më lëndon”.

“Por, në fund të fundit, ata e kanë bërë punën e tij dhe ne tentuam t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve të tyre”.

63-vjeçari ishte president i UEFA-s mes viteve 2007 dhe 2015 para se ai ishte pezulluar nga të gjitha aktivitetet lidhur me futboll nga Komiteti Etik i FIFA-s.

Vendimi për t’ia dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Botërorit 2022 ka qenë i përcjellë nga polemika të shumta për shkak të rekordit negativ të këtij vendi lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut, qëndrimit ndaj komunitetit LGBT+ dhe integritetit të Katarit.

Francezi e ka pranuar më herët se ai e kishte mbajtur një takim sekret me zyrtarin famëkeq Mohamed bin Hammam, pak para se të vendoste t’ia jepte Katarit organizimin e Kupës së Botës.

Ai gjithashtu zbuloi vitin e kaluar se ai i kishte bërë disa manipulime të vogla për t’u siguruar që Franca të mos takohej me Brazilin deri në finale të Kupës së Botës të vitit 1998.