Përgatis secilin ushqim, kur bie të flejë mendoj se çfarë do gatuaj nesër në punë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Për momentin është një nga personazhet e njohur të kuzhinave në Moskë të Rusisë, djaloshi nga Tetova që po bën emër tashmë edhe në shumë vende të tjera e prezantohet si shqiptarë Rufi Shabani vjen në një rrëfim për Infrared të gazetës Koha duke treguar eksperiencën e tij.
KOHA: E ke nisur krejt rastësisht punën e kuzhinës, na thuaj në detaje nga fillimi deri më sot si ka ecur?
Në vitin 2009 kam qenë pa punë si të rinjtë në Maqedoni, për një periudhë kam punuar në një furë druri dhe më lindi ideja të bëhem pizzaiol, më vonë pas disa muajve mora ftesë nga vëllau të shkoj në Moskë për të punuar.
KOHA: Për momentin, je një nga kuzhinierët më të njohur në shtetin rus, nuk ke pasur pengesa se je shqiptarë?
Nuk kam pasur pengesa asnjëherë, unë punoj në tetë lokale dhe jam “brand shef” që udhëheq nga teknologjia deri në gjërat që duhet të ketë nën kontroll një kuzhinier në përgjithësi, jam shqiptarë dhe e prezantoj veten shqiptarë edhe në media e në rrjetet sociale. Unë të gjitha ushqimet i bëj më së miri dhe shpejtë, e bëj punën me dëshirë dhe modesti e mendoj punën si për vete.
KOHA: Je ftuar në shumë emisione për të treguar eksperiencën tënde?
Jam ftuar në shumë media ruse. Kam marrë pjesë edhe në prezantimin e kuzhinës tradicionale shqiptare duke gatuar me plis në kokë dhe me veshje kombëtare ku edhe kam marrë vendin e parë në Universitetin e Moskës aty ku prezantoheshin ushqimi dhe veshja e shumë vendeve të ndryshme.
KOHA: Cilat janë synimet tua për të ardhmen?
Synimi im në të ardhmen është që të kem shëndet dhe të bëj një gjë timen e të kthehem në vendlindje e të mësoj fëmijët tanë të gatuajnë si ushqim të shëndetshëm për jetë të shëndetshme.
KOHA: Komplimenti më i mirë që ke marrë nga ata për ushqimet?
Komplimente marr gjithmonë dhe më japin shumë kurajo për atë që bëj dhe ndihen të kënaqur, njerëzit që vinë zakonisht në restorant shpesh pronari më thotë që marr komplimente se jam më i miri (qesh), por unë gatuaj me zemër. Rusët e pëlqejnë shumë gatimin dhe ushqimin shqiptarë.
KOHA: Na i shkruaj nja dy receta të ushqimeve të fundit që ke bërë?
Secilën natë bie në gjumë duke menduar se cilën recetë do e bëj nesër në punë, për pizza… Nuk dua të flas, sepse nuk përshkruhet me fjalë, pasi kuzhina nuk ka fund. Punoj të gjitha llojet e ushqimeve, sa i përket pizzave e bëj atë Pinzzete Fritte, Napoletana, di Romana, di Palla, Pinza Pizza Teglia etj.