Njihet si një Kampion në boks pasi e ushtron këtë profesion prej vitesh, e kohëve të fundit ka tentuar të sfidojë veten edhe në aktrim dhe politikë. Tek kjo e fundit duket se po ecën mirë. Djali nga Loxha e Kosovës që jeton në Gjermani, Granit Shala, flet për InfraRed të gazetës KOHA mbi angazhimin e tij në skenën politike
KOHA: Ke lënë anësh boksin për t’u inkuadruar në politikë, pse?
Unë nuk e kam lënë boksin për politikë por tani jam duke u marrë më shumë me politik, pasi ka shumë vite që merrem, arsyeja është se e kemi obligim moral ndaj atdheut nëse kemi mundësi me i dhënë diçka më shumë.
KOHA: Si e sheh gjendjen politike në Kosovë në këto vitet e fundit?
Në Kosovë ka pasur ndryshime pozitive, por kemi mundësi me bë më shumë vetëm nëse jemi të bashkuar kur është në pyetje shteti.
KOHA: Sa mendon se kryeministri Ramush Haradinaj ka arritur të realizojë veten në postin që drejton?
Haradinaj është në një koalicion të gjerë dhe nuk ka shumë hapësirë sa duhet, mos të harrojmë se me ardhjen e tij ka pasur shumë ndryshime siç është këtu ushtria dhe hapat për liberalizim të vizave.
KOHA: Cilat janë ambiciet tuaja në politikë, çfarë synoni të arrini?
Unë nuk kam hyrë në politikë për një rrogë apo për një post që më siguron një rrogë, unë ndiej më shumë përgjegjësi morale ndaj atdheut dhe jam i gatshëm të marr përgjegjësi.
KOHA: Ju përfaqësoni partinë e Haradinajt në diasporë, cili është mendimi i shqiptarëve që jetojnë në Gjermani për gjendjen e shoqërisë kosovare dhe si mund të kalohet ajo në më mirë?
Mërgata asnjëherë nuk është e kënaqur me punën që bëhet në Kosovë, diaspora këtu ka kontribuar shumë në këtë pjesë sa i përket formimit të shtetit dhe unë mendoj se qeveria duhet të jep më shumë përgjegjësi njerëzve të diasporës, mbasi ata jetojnë në një shtet që ka përvojë në shtet formim.
KOHA: Qeveria e Haradinajt numëron një sërë postesh – nga ministrat dhe zëvendësministra, diaspora është përfaqësuar si duhet?
Nuk është e drejtë që qeveria ka vendosur në këto postë persona që ndoshta nuk përfaqësojnë as lagjen e tyre.
KOHA: Ke thumbuar shpesh presidentin Hashim Thaçi. Mendon se idetë dhe projektet e tij janë të dëmshme për Kosovën?
Personalisht nuk kam asgjë kundër Thaçit por punën e tij si president e kundërshtoj, ai flet sikur të ketë Kosovën me tapi të babës dhe unë nuk më lejon morali të flas për këtë, unë vij nga fshati Loxhë që është djegur nga dora e shkjaut dhe familja ime ka rënë dëshmorë e të lejoj Thaçin të flet sikur nuk ka ndodhur asgjë, nëse dikujt nuk i dhemb aspak ajo që ka bërë shkau atëherë le të përkrahë atë.
KOHA: Çka nëse të njëjtat përkrahen nga perëndimorët, të cilët mund të realizojnë këto ide?
Nëse e lejojmë Thaçin të flet, edhe idenë e Esat Pashës e kanë përkrahur në Paris, e kur e kanë parë se po flet lirshëm…
KOHA: A mund të shohim në të ardhmen Granitin në majat e politikës kosovare?
Së pari duhet kryetari i partisë të më jep besimin e tani edhe qytetarët, pse jo me shumë kënaqësi kontribuoj për atdheun. (B.R)