Flet gjyqtari kosovar që i referoi Barcelonës së Messit në Ligën e Kampionëve

129

Gjyqtar i Zvicrës me prejardhje nga Kosova, Bekim Zogaj, e ka përshkruar si madhështore përvojën e gjykimit për herë të parë në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, duke e quajtur shkollë jetësore referimin në futboll.

Zogaj u bë gjyqtari i parë me prejardhje nga Kosova që gjykon në një ndeshje në garën më prestigjioze evropiane për klube, Ligën e Kampionëve, pasi mbrëmë ishte anësor i Sandro Scharer në ndeshjen mes Barcelonës dhe Ferencvaros në Camp Nou, raporton Gazeta Express, përcjellë koha.mk.

Ai ishte asistenti i dytë i Scharer në fitoren e thellë të Barcelonës 5:1 kundër Ferencvaros në ndeshjen hapëse të Grupit H në Ligën e Kampionëve të martën.

Në një reagim në rrjetet sociale të mërkurën, Zogaj tha se rrugëtimi i tij i gjatë dhe u mundimshëm në dy dekadat e fundit ia ka vlejtur për ta përjetuar këtë ditë.

“Përvojë madhështore. 23 vite arbitrim, rrugë e gjatë, momente te mira, sakrificë e madhe, por ja vlen, sepse arbitrimi është shkollë jetësore”, shkroi Zogaj në llogarinë në Facebook.

I lindur në Decan më 1979, ai kishte migruar në Zvicër në moshën 10 vjeçe.

Zogaj e kishte nisur kursin për gjyqtar futbolli në vitin 1997 në Zurich.

Më 2019, Zogaj ishte gjyqtar anësor edhe në fitoren e klubit kosovar Feronikeli kundër Lincoln Red Imps në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës.

41-vjeçari ka qenë gjyqtar i rregullt në Superligën e Zvicrës dhe në garat e tjera në këtë vend, por këtë vit ka filluar të gjykojë ndeshje edhe në garat më të mëdha evropiane.

Në shtator, ai ishte anësor edhe në ndeshjen e Ligës A në Ligën e Kombeve mes Danimarkës dhe Belgjikës.

Ai ka referuar edhe në ndeshjet e Ligës së Evropës – garës dytësore evropiane për klube – në vitet e fundit, përfshirë ndeshjet mes Arsenal – Standard Liege dhe Manchester United – AZ Alkmaar vitin e kaluar.