Çellsi i jep fund çështjes Kosta këtë javë
Çellsi raportohet se do të arrijë marrëveshje me AtletiKo Madridin për sulmuesin Diego Kosta këtë javë. Sipas raportimeve të fundit, klubi i Premier Ligës po dëshiron që të përfundojë problemet me Kostan sa më shpejtë dhe janë të gatshëm të diskutojnë marrëveshjen me AtletiKon, që lojtarin ta transferojë drejt Madridit në janar. Spanjolli ka refuzuar të kthehet në Londër duke kaluar gjithë verën në Brazil, pasi Antonio konte vendosi të mos e përfshinte në skuadër. Besohet se AtletiKo do të paguajë gati 60 milionë euro për Kostan
Venger: Mustafi nuk kërkoi largimin nga Arsenali
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, insiston se mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, nuk ka kërkuar të largohet nga klubi gjatë kësaj vere. “Ai donte të qëndronte. Shikoni atë tash”, ka thënë Venger për “The Evening Standard” të hënën. Për Mustafin, 25-vjeçar, është raportuar se ka kërkuar largimin për t’iu bashkuar Interit. Reprezentuesi i Gjermanisë tek Arsenali u transferua në verën e vitit të kaluar nga Valencia. Me ekipin anglez ka kontratë deri në verën e vitit 2021.
Preferon trofetë me Realin në vend se të kalojë tek Junajtedi
Geret Bejll beson se fitorja e trofeve me Real Madridin është më e rëndësishme se që të jetë yll i një klubi si Mançester Junajted. Uellsiani është lidhur me një kalim tek “Old Trafford” qe një kohë të gjatë, ndërsa së fundmi u fol edhe mundësia e transferimit të tij për 100 milionë euro. Ai, gjithsesi, beson se zgjedhja më e mirë për karrierën e tij është që të qëndrojë në “Santiago Bernabeu”. “Mendoj se gjëja kryesore për të cilën do të shikoni më pas në karrierë, është për trofetë tuaj. Në fund të fundit kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë 28-vjeçari duke demantuar raportimet për largim nga Reali.
Kurrë nuk e kam menduar largimin nga Roma
Kevin Strootman ka thënë se ai nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga Roma. Lojtari u kërkua nga Juventusi që kishte bërë oferta të rëndësishme, por që Roma nuk lejoi largimin e tij. “Mendimi për tu larguar nga Roma? Sapo është mbyllur afat kalimtar. Para dy muajsh, kam nënshkruar për pesë vite, nuk e kam menduar largimin nga Roma. Më të fortë, apo më të dobët këtë sezon? Është e vështirë të thuhet, pasi kemi luajtur vetëm dy ndeshje. Disa lojtarë të rëndësishëm janë larguar, disa të tjerë kanë ardhur. Mund të përgjigjem pas disa muajsh. Kemi shumë besim aktualisht, por duhet ta tregojmë në fushën e lojës”, ka thënë Strootman.
Dështimi i transferimit te Barça më ka prekur
Mesfushori i Nica, Zhan Mishel Seri pranon se ishte e vështirë të shihte ëndrrën e tij për të kaluar në Barcelonë teksa venitej. Barcelona vendosi të heq dorë nga nënshkrimi i Serit pasi u refuzua fillimisht nga skuadra franceze dhe kjo e ka prekur mesfushorin energjik. “Ky transferim më ka prekur sepse si lojtar ishte një ëndërr e madhe, por kjo nuk më ka destabilizuar”, ka thënë fillimisht Seri. “Unë tashmë e kam harruar atë periudhë dhe vetëm po shoh përpara. Duhet t’i jap gjithçka këtij klubi që më ka dhënë shumë dhe tifozët që kanë qenë gjithmonë pas meje dhe skuadrës”, përfundoi mesfushori i Nica.