Shkup, 28 korrik – Flamurin e skuadrave shqiptare në turin e tretë të Conference League ditën e sotme e mbajti vetëm Shkëndija e Tetovës, që fitoi 3-1 në stadiumin e Shkupit me letonezët e Valmieras. Në fakt, ekipi tetovar e kishte fituar edhe ndeshjen e parë 2-1 në transfertë.
Në pjesën e parë Shkëndija dominoi në terrenin e gjelbër dhe ishte në epërsi 2:1. Autorë të golave për ekipin kuq e zi ishin Egzon Bejtullai në minutën e 11 dhe Doriev në minutën e 34, ndërsa për ekipin mysafir shënoi Murata.
Pjesa e dytë filloi me iniciativë të skuadrës mysafire të cilët krijuan tri-katër raste të qindpërqindta, mirëpo falë portierit Zahov, qendërmbrojtësit Egzon Bejtullai dhe në një rast edhe transversalja, ishin mbrojtës të ekipit kuq e zi që nuk lejuan konkretizimin e rasteve të tyre. Skuadra mysafire Valmiera nga minuta e 67 mbeti me 10 lojtarë pasi gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq autorin e golit të vetëm, Murata.
Ekipi i Shkëndijës me një lojtarë më tepër arriti të shënoj edhe golin e tretë në minutën e 85, me autor Florent Ramadani.
Në ndërkohë, sot është eliminuar Drita e Gjilanit. Pas barazimit pa gola në Belgjikë me Antwerp, kosovarët u mposhtën 0-2 në “Fadil Vokrri”, ku për ironi të fatit, golin e parë e shënoi një shqiptar, Krasniqi.
Humbje sot ka pësuar edhe ekipi shqiptar Laçi. Edhe pse shpresat për një ekip të Shqipërisë në turin e tretë të Conference League ishin varur te Laçi, kurbinasit megjithatë u mundën 1-4 nga moldavët e Petrocub në “Elbasan Arena” dhe janë eliminuar, teksa takimi i parë kishte përfunduar në barazim pa gola.
Edhe aventura e Vllaznisë në Evropë këtë edicion mori fund shumë shpejt, duke mos kaluar asnjë tur, pavarësisht se e nisi nga i dyti në Conference League. Pas barazimit 1-1 në Shkodër, kuqeblutë u mposhtën 3-0 nga Universitate Craiova në Rumani.