Manastir, 7 nëntor – Para disa ditësh u lëshua për përdorim xhamia Hajdar Kadiu në Manastir, e rindërtuar dhe në prerjen e shiritit – ishin zyrtarë të lartë të Bashkësisë Fetare Islame dhe banorë të Manastirit. Një ditë më pas, në minaren e kësaj xhamie është ngjitur edhe flamuri kombëtar shqiptar, shkruan Telegrafi. Megjithatë, kjo ka ngjallur reagime. Pritej që të reagon komuniteti maqedonas në Manastir, por këtë herë ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike Turke në Manastir, Isa Ibish. ”Kjo xhami është princeshë e Ballkanit. Kjo xhami është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane dhe është ri-ndërtuar me para të Republikës së Turqisë. Kjo xhami është bërë për të gjithë besimtarët muslimanë. Vendosja e flamurit kombëtar shqiptarë në minare për ne është si provokim, apo ndarje që e inicojnë shqiptarët. Minarja nuk është vendi për të vënë flamuj kombëtar, por vetëm për flamurin e muslimanëve”, është shprehur kryetari i Partisë Demokratike Turke në Manastir, Isa Ibish.
Përndryshe, kjo xhami u rinovua nga shteti turk dhe për këtë i pranishëm ishte edhe delegacioni i Turqisë i kryesuar nga zëvendëskryeministri Veysi Kaynak. Ndërkohë në hyrjen e xhamisë janë vendosur flamuj të Maqedonisë, Turqisë dhe organizatës që e ka rinovuar xhaminë. Këtu mungon flamuri kombëtar shqiptar.