Shkup, 12 shkurt – Me një ceremoni solemne të martën, është bërë ngritja e flamurit të NATO-s përpara objektit të Qeverisë së Maqedonisë e cila do të bartë edhe emrin “Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, raporton Koha.
Në fjalën e tij të rastit para të pranishmëve kryeministri Zoran Zaev theksoi përparësitë që sjellë anëtarësimi i vendit në NATO, mundësitë e zhvillimit politik dhe ekonomik rajonal etj.
Ai midis tjerash u ndalë edhe në integrimin e Maqedonisë në BE, ku siç tha është pjesë komplementare e integrimit në NATO.
Mbishkrimi “Qeveria e Republikës së Maqedonisë” tanimë është larguar nga objekti i qeverisë. Këto shkronja janë larguar me qëllim që të shtohet edhe “E Veriut”, në pajtueshmëri me emrin e ri kushtetues të shtetit. Pas Qeverisë pritet që të ndërrohet edhe tabela e Kuvendit, ministrive dhe institucioneve tjera shtetërore. (koha.mk)