Si çdo të enjte deputeti demokrat Flamur Noka ka sulmuar kolegët tij të majtë. Ndërsa po fliste ish-kryeministri Sali Berisha, Noka është parë të konfrontohet me deputetët socialistë.
Ai ka gjuajtur me një bllok shënimesh deputetin e majtë, Erjon Braçe, ndërsa më pas kanë ndërhyrë deputet e tjerë dhe garda.
Deputeti Braçe ka “ngacmuar” nga vendi ish-kryeministrin teksa fliste, gjë që ka sjellë dhe reagimin e ashpër të Flamur Nokës. Për qetësimin e gjakrave, nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj ndërpreu seancën.
Berisha: Në 18 shkurt shpëtojmë nga kryebanditi Edi Rama
Berisha, përsëriti akuzat e tij ndaj kryeministrit Rama, për lidhje me krimin. “18 shkurti është dita për t’i dhënë duart njëherë e përgjithmonë kryebanditit Edvin Kristaq Rama, që në pushtet solli terroristët, bandat kryesore, krimin më të shëmtuar. Javën e kaluar solla prova për lidhjen e Olsi Ramës me “Hakmarrjen për Drejtësi”, me grupin e Xibrakës. Solla të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se Olsi Rama doli jashtë shtetit me makinë të modifikuar për transportin e kokainës. Rama ka 4 javë që fshihet si mi, të vijë këtu t’u thotë shqiptarëve përse. Të tregojë mesazhet që merr nga burgu nga Aldo Bare, Dritan Dajti, etj. Grupin terrorist më të fuqishëm të Ballkanit e shpalli të pafajshëm një javë më parë”