Shkup, 31 janar – Me fjalë përmbyllëse të Prokurorisë, sot në Gjykatën penale vazhdoi procesi gjyqësor për ngjarjet në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit 2017. Prokurorja Vilma Ruskovska para gjykatës tha se shumë punë kanë ndodhur pasi ka filluar gjykimi deri më tani edhe brenda edhe jashtë sallës gjyqësore, njofton Koha.
“Kur flas për brenda, mendoj në të gjithë dëshmitarët dhe dëshmitë, ndërsa për jashtë nga salla gjyqësore fillimisht mendoj në Ligjin për amnisti. Ligji për të cilin vendimi politik ka kryer ndikim të madh jo në bazë të konceptit të aktakuzës, por në konceptin e mosndëshkimit. Në gjykatën nuk ndikon ajo që dikush përballet me 10 vjet burg dhe tjetri për të njëjtën është amnistuar. Për gjykatën duhet vetëm të ndikojnë faktet që i kemi parë në sallën gjyqësore”, deklaroi Ruskovska.
Theksoi se në dëshmitë e shumë dëshmitarëve në sallën gjyqësore u tregua se i akuzuari Mitko Çavkov me vetëdije nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për përballje me situatën dhe se asgjë atë natë nuk ishte rastësi.
Prokurorja në fjalët përmbyllëse hollësisht i sqaroi dhe i theksoi dëshmitë dhe dëshmitarët të cilët kanë dalë para gjykatës, si dhe të gjitha veprimet që duhej, ndërsa nuk i kanë ndërmarrë të gjithë të punësuarit në MPB, të cilët atë ditë ishin në punë.
Prokurorja Ivana Trajçevska, paraprakisht para gjykatës e përsëriti aktakuzën, me atë dallim që gjatë leximit të veprimeve individuale të të gjithë 33 të akuzuarve të parë, i theksoi personat për të cilët procedura është penguar në pajtim me Ligjin për amnisti.
“Të njëjtët akuzohen se më 27 prill të vitit 2017 nga ora 14:30 deri në orën 22:30 gjatë mbajtjes së seancës konsultative me qëllim që ta rrezikojnë rendin kushtetues të RM-së dhe ta pengojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkaktuan trazira dhe dhunë në hapësirat e Kuvendit dhe e rrezikuan jetën dhe sigurinë e deputetëve, gazetarëve dhe personave të tjerë”, deklaroi Trajçevska.
Me këtë të akuzuarit Mitko Çavkov, Dushko Lazarov, Goran Gjoshevski, Mitko Peshev, Oliver Popovski, Munir Pepiç, Abdulfeta Alimi, Igor Durlovski, Jane Çento, Igor Jug, Aleksandar Vasilevski Ninxha, Nikola Mitrevski Kolio, Mladen Dodevski, Gorançe Angelovski, Vlatko Trajkovski dhe Uilliam Mihajlovski kanë bërë vepër penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues.
Procedura është ndarë për të akuzuarit Oliver Radullov dhe Sasho Markovski, të cilët akzohen për ndihmë në veprën penale, rrezikim terrorist të rendit kushtetues. (koha.mk)