Shkup, 13 korrik – Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) nënshkruan memorandum bashkëpunimi që do të përfshijë fillimin e projekteve dhe studimeve të përbashkëta në fushën e sipërmarrjes, inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit teknologjik.
Siç kumtoi FIZHT, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është nxitja e konkurrencës duke hulumtuar instrumentet e mundshme për krijimin e politikave inovative, si dhe politikat që lidhen me arsimin dhe mbështetjen e lëvizshmërisë midis akademisë dhe industrisë, duke përfshirë mobilitetin ndërkombëtar të nxënësve, studentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë akademike.
“ASHAM do të angazhohet aktivisht në përgatitjen e programit strategjik për inkurajimin e të menduarit kreativ, inovacioni dhe sipërmarrjes midis të rinjve, të quajtur si “Fondi për mendje të reja” të FIZHT-së, por do të thellojë bashkëpunimin në hartimin e instrumenteve financiare për inkurajimin e aktiviteteve kërkimore të shoqërisë akademike”, tha kryetari i Akademisë, Taki Fiti.
Sipas drejtorit të FIZHT, Jovan Despotovski, nënshkrimi i Marrëveshjes për bashkëpunim me njërin nga institucionet më të rëndësishme nacionale ka rëndësi të madhe.
“Të dyja institucionet përmes bashkëpunimit dypalësh do të kenë projekte të përbashkëta për financimin e aktiviteteve kërkimore të ndërsjella në frontin e institucioneve shtetërore vendase, sektorin privat, duke përfshirë ndihmën e ndërsjellë në përgatitjen e dokumentacionit të projektit”, qëndron në kumtesën e FIZHT. (koha.mk)