Shkup, 23 shtator – Gjithsej 2,35 milionë euro do të investojë shteti në mbështetje të 84 startap kompanive mikro dhe të vogla, kumtuan zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i FOndit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), Jovan Despotovski.
Ata mbrëmë i prezantuan 84 startap kompani që do të marrin mbështetje financiare nga FIZHT në konkursin publik “Startapo 2”.
Në kuadër të këtij konkursi, në valën e parë u mbështetën 53 kompani, por për shkak të numrit cilësor të aplikacioneve sipas rekomandimit të Komitetit për miratim të investimeve, u siguruan plotësisht një milion euro, për mbështetje edhe të 31 startap kompanive mikro dhe të vogla. Vëllimi i përgjithshëm i investimeve paraqet mbi 3 milionë euro, prej të cilave 77 për qind, përkatësisht 2,35 milionë euro janë mjete që i siguron Qeveria në bashkëpunim me Bankën botërore, ndërsa 23 për qind apo pothuajse 702.000 euro do t’i sigurojnë vetë kompanitë.
“Besoj se gjatë tre viteve të shkuara, treguam dhe dëshmuam se si duhet dhe si mbështeten njerëzit të cilët kanë ide të mira. E etabluam Fondin për inovacione si shtëpi për secilin të ri të guximshëm me ide konkrete. Në portofolin e Fondit, vetëm në këto tre vite, së bashku me këta të cilët sot i publikojmë, janë mbështetur apo do të mbështeten mbi 500 kompani vendore, në pjesën më të madhe bëhet fjalë për ndërmarrje mikro dhe të vogla, që me të vërtetë është e pakrahasueshme me periudhën para vitit 2017, kur u mbështetën vetëm rreth 30 kompani. Me pas, këto janë kompani të cilat do të realizojnë projekte në vlerë prej 73 milionë euro, vëllim i përgjithshëm i investimeve, dhe investim i kompanive dhe mbështetje nga FIZHT”, tha Bytyqi.
Ministri Bekteshi paralajmëroi mbështetje të shtuar dhe masa të reja qeveritare për startap kompani në të ardhmen.
“Jam i bindur se kemi shumë të rinj të cilët kanë ide, vetëm duhet t’i inkurajojmë, t’u japim mundësi, të mos i parandalojmë në përmbushjet. Në atë mënyrë do të krijojmë edhe ekonomi më të mirë për shtetin tonë, por njëkohësisht edhe standard më të mirë jetësor, vende të punës më mirë të paguara dhe shtet më të suksesshëm për të gjithë ne, ndërsa nesër edhe për fëmijët tanë”, theksoi Bekteshi.
Drejtori i FIZHT, Despotovski theksoi se inkurajon fakti që Fondi i ka nxitur të rinjtë në vend që idetë e veta të biznesit t’i shndërrojnë në biznes të suksesshëm, që e konfirmon edhe numri se mbi 52 për qind e këtyre kompanive janë themeluar në vitin e fundit. Despotovski shtoi se me masa të targetuara në vitet e kaluara vazhdimisht po punohet në mbështetje të startap kompanive për komunitetin.
Startap kompanitë e zgjedhura në këtë konkurs do të punojnë në projekte në 15 sfera të ndryshme, mes të cilave edhe në mjekësi, ndërtimtari, bujqësi dhe TI teknologji. Në pjesën më të madhe janë mikro kompani (75) dhe kompani të vogla (9). Me realizimin e projekteve investuese, do të hapen vende të punës të paguara mirë për të rinjtë, përkatësisht këto kompani të cilat për momentin punësojnë 280 persona, do të punësojnë plotësisht 246 njerëz me rrogë mesatare pothuajse 600 euro.
Gjithsej 235 kompani aplikuan në suaza ë konkursit publik “Startapo 2”, 203 e kaluan fazën e kontrollit administrativ, ndërsa 181 vazhduan në fazën e selektimit përfundimtar.