Fatos RUSHITI
Shkup, 9 tetor – Fushata parazgjedhore këtë javë pritet të jetë më sensitive në aspektin e rivalitetit politik dhe më dinamike gjatë aktiviteteve në terren nga garuesit e zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, shkruan gazeta KOHA. Në taborin maqedonas – LSDM ia ka mësy me çdo kusht në fitojë Shkupin, duke pasur BDI-në në krah ku dhe vetë lideri i saj, Ali Ahemti, i bëri thirrje elektoratit shqiptarë të votojnë kandidatin e partisë së Zaevit, Petre Shilegov. Së fundmi, lideri i LSDM-së elektrizoi edhe më shumë garën mes BDI dhe Lëvizjes BESA duke thënë se kjo fundit ka bashkëpunim me VMRO për Tetovën dhe Çairin, dy qytete këto ku partitë në pushtet kanë përqendruar të gjitha forcat për fitore të sigurt mos në rrethin e parë, por në të dytin gjithsesi. Nga ana tjetër, në kuluaret politike flitet se VMRO nuk ka gjasa ti rezistojë binomit LSDM-BDI në Shkup, duke u përqendruar në komunat lindore dhe jugore – rajone këto ku kemi një numër të konsiderueshëm dhe të komunave të vogla e ku dominante për tre palë zgjedhje lokale ka qenë VMRO. Ndryshe, LSDM për dalim nga anketat e mëhershme para çdo cikli zgjedhor – si parlamentar ashtu dhe në atë lokal, qëndronte shumë mbrapa VMRO-së, këtë radhë – duke qenë në pushtet, në anketat e fundit ka tejkaluar VMRO-në për herë të parë pas vitit 2006. BDI nga ana tjetër, përveç rivaliteti të fortë me BESËN në Komunat e Shkupit dhe në Likovë, këto ditë e ka theksuar rivalitetin në terren dhe me partnerin e saj qeveritar – Aleanca për Shqiptarët të Ziadin Selës. Ky fundit, gjatë një tubimi në Kërçovë ironizoi direkt me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me apelet e tij të që bëri në fillim të fushatës për mospërçarjes votës shqiptare. “Ali e kemi një pyetje publike për ty. Çfarë do të bësh kur të vish në Strugë, do të bësh thirrje për të përçarë apo bashkuar. S’ke nevojë të vish, sepse shqiptarët janë bashkuar në të gjitha vendbanimet dhe komunat, përfshirë Ohër e Manastir me lista të përbashkëta”, ka thënë Sela. Mes partive shqiptare garë e nxehtë po zhvillohet në komunat kryesore, ku pikas Tetova më katër pretendentë serioz në garë – Teuta Arifin, Bilall Kasamin, Adnan Nezirin dhe Bardhyl Dautin, më pas Gostivari mes Nevzat Bejtës dhe Arbën Taravarit, pastaj Struga mes Ziadin Selës dhe Ramiz Merkos, Çairi mes Visar Ganiut dhe Zeqirija Ibrahimit dhe Likova, ku BESA ia ka mësy ta mund BDI-në për herë të parë që nga Konflikti i vitit 2001 me kandidatin Shaban Zendeli kundrejt Erkan Arifit të BDI-së.
Por, bashkëpunimi mes partive do të jetë kyç në rrethin e dytë, sidomos mes BDI-së dhe LSDM-së nga njëra anë dhe nga ana tjetër – Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët që kanë afri mes veti që në rrethin e parë. Por njërës apo tjetrit bosht mund t’ia prish hesapet PDSH, e cila ende qëndron e fortë në Tetovë, Gostivar, Studeniçan, Strugë, Likovë dhe në komunat tjera, e cila edhe në anketën e fundit të Brima Gallupit, me mbi 2 për qind nuk mund të mos llogaritet kyçe për në rrethin e dytë zgjedhor. Në këtë parti, pas zgjedhjeve lokale ka zëra se mund të ketë ndryshime në kreun e partisë, ndërsa emri që do ta zëvendësojë Menduh Thaçin përflitet nënkryetari i partisë Bardhyl Dauti për të cilin pritjet në këtë parti janë të mëdha se do të shkojë në rreth të dytë për Komunë e Tetovës. Sa i përket tubimeve përmbyllëse, nga agjendat partiake shihet se partitë shqiptare do të përqendrohen në komunat e perëndimore më shumë ku dhe elektorati shqiptarë është më dominant. BDI tubimin përmbyllës do ta mbajë në Tetovë, ditën e enjte, ndërsa partitë tjera – si zakonisht do ta mbyllin të premten. Deri të premten, BDI do të ketë tubime në Gostivar, Çair, Strugë dhe Kërçovë. Po në Tetovë, fushatën do ta mbyllë edhe Lëvizja BESA, ndërsa deri të premten – tubime të mëdha do të mbajë në Zhelinë, Likovë, Kumanovë, Saraj, Vrapçishtë dhe Gostivar. Lëvizja BESA synon fitore në rreth të parë në Likovë, Çair, Saraj, Studeniçan dhe Tearcë, ndërsa llogarit në fitore të sigurt në rreth të dytë në Tetovë dhe Bogovinë, por mbajnë shpresa edhe në Dibër dhe Gostivar. Ditëve të fundit, kjo parti ka reaguar kundër qëndrimeve të BDI dhe LSDM-së se ka bashkëpunim me VMRO-në, ndërsa i fundit ishte kandidati për Çairin, Zeqirija Ibrahimi i cili tha se BESA ka refuzuar ofertë konkrete për formimin e Qeverisë, ndërsa për zgjedhje – nuk bëhet fjalë që të ndihmohet partia e Gruevskit. Aleanca për Shqiptarët tubimin përmbyllës do ta mbajë të premten në Strugë, qytet të cilin synim kryesor ka që të fitojë duke llogaritur në kandidaturën e fortë të liderit të partisë, Ziadin Sela. ASH të enjten do të mbajë tubim në Gostivar dhe në Vrapçisht dhe të mërkurën në Dibër. Partia Demokratike Shqiptare fushatën parazgjedhore do ta përmbyll në Likovë të premten, ndërsa këto ditë do të jetë aktive në lagjet dhe fshatrat e Komunës së Tetovë, siç thonë nga Shtabi qendror, ndërsa tubim të madh do të ketë edhe në Gostivar. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët (RDK+UNITETI) tubimion përmbyllës, siç edhe pritej, do ta ketë në Gostivar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.