Stevo Pendarovski do të jetë sigurisht një kryetar ndryshe nga Gjorge Ivanov, i cili “shikonte nga Lindja e ia bënte me sy perëndimit”, kjo është pa dilemë, sikundër që në dallim nga ai, nuk pritet t’u bëjë obstruksione projekteve ligjore me argumente se janë në kundërshtim me Kushtetutën
Destan JONUZI
Shkup, 6 maj – Fitorja e kandidatit të shumicës parlamentar – LSDM, BDI, PDSH dhe partnerëve tjerë, Stevo Pendarovski, në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, për analistët vulos përcaktimin euroatlantik të vendit.
“Kjo është fitore e dyfishtë e ndoshta e trefishtë. Është fitore e një procesi zgjedhor që kaloi pa parregullsi me të cilat do të kontestohej nga dikush. Fitore e madhe që u përmbush censusi pas daljes së zbehtë në rrethin e pare kur mezi u kaluan 40 për qind. Ky sukses kësaj radhe u adresohet subjekteve garuese, të cilat arritën të motivojnë sërish votuesit që të dalin në përqindjen e censusit. Për këtë sigurisht ka ndikuar rezultati ‘baras’ i rrethit të parë, gjë që në të dy shtabet e kandidatëve i patën rritur ambiciet për fitore. Kjo në veçanti vlen për VMRO-DPMNE-në, që të përpiqet që të shënojnë një fitore pas katastrofës zgjedhore në zgjedhjet lokale, pasi realisht, edhe me humbje, e konsideronin fitore te zgjedhësit maqedonas”, deklaroi për gazetën KOHA, Daut Dauti, analist.
Sipas tij, fitoren e kandidatit të koalicionit qeveritar, rrallëkush e vinte në dyshim, duke pasur parasysh se votuesit shqiptarë në rrethin e dytë nuk ishin të frenuar me kandidat shqiptar dhe partitë politike shqiptare, dhe anëtarësia e disiplinuar, me vetë apelet për dalje kanë ndikuar në këtë rezultat për Stevo Pendarovskin.
” Pendarovski do të jetë sigurisht një kryetar ndryshe nga Gjorge Ivanov, i cili ‘shikonte nga Lindja e ia bënte me sy perëndimit’, kjo është pa dilemë, sikundër që në dallim nga ai, nuk pritet t’u bëjë obstruksione projekteve ligjore me argumente se janë në kundërshtim me kushtetutën. Nga ana tjetër, nuk duhet të marrim gjithçka të kryer sa i përket rrugës së Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së, sepse aty ku mund të dështojë pushteti (qeveria), nuk mund ta mbulojë kryetari”, theksoi Dauti. Nga ana tjetër, ish-kandidati për president, Zudi Xhelili, thotë se ashtu edhe siç pritej, fitues i zgjedhjeve është Stevo Pendarovski, kandidati me përcaktim pro-perëndimor.
“Kandidati që nga disa parti politike shqiptare u quajt edhe si kandidatë konsensual, që në programin e vet u bazua në konceptin e integrimeve euro-atlantike, pritej që të dalë fitues i zgjedhjeve. Andaj, tutje duhet që së bashku të vazhdojmë të ecim përpara për të ndërtuar një shtet për të gjithë. Ky koncept politik që nga viti 2016, në disa raste u përkrah dhe u mbështet fuqishëm nga të gjitha partitë politike shqiptare. Duke pasur parasysh që shqiptarët nga moti bindshëm ishin përcaktuar të ndjekin integrimin e vendit ne NATO dhe BE, këtë përcaktim e dëshmuan gjatë krijimit të shumicës parlamentare, ndryshimeve Kushtetuese etj”, tha për gazetën KOHA, Zudi Xhelili, ish-kandidat për President.
Ai potencoi së ky angazhim i forcave demokratike, pro NATO dhe pro BE është ndjekur me vëmendje edhe nga faktori ndërkombëtar dhe se sipas tij, do të vlerësohet pozitivisht nga ana e tyre.
Përndryshe, Stevo Pendarovski do të jetë Presidenti i pestë, i pari në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në karrigen e presidentit janë ulur katër presidentë. Presidenti i parë Kiro Gligorov dhe presidenti aktual Gjorge Ivanov funksiononin e presidentit e kanë kryer në dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë pasur Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski. (koha.mk)