Kukësi vijon përgatitjet për ndeshjen e javës së 29-të të Superiores, teksa ka humbur kryesimin fundjavën e kaluar. Pesha e barazimit me Vllazninë ndihet psikologjikisht, por të besuarit e Gjokës premtojnë autokritikën në Durrës, nesër në mbrëmje. Sytë janë nga sulmi, që ka përbërë “lokomotivën” e skuadrës verilindore në këtë kampionat. Me 7 gola të shënuar deri tani, Izair Emini ka mbeur disi nën hijen e Pero Pejiçit këtë sezon. Shqiptari nga Maqedonia ishte njeriu i golit të fitores ndaj Teutës, në “Zeqir Ymeri”, në përplasjen e fundit mes këtyre dy skuadrave. Tashmë verilindorët gjenden para sfidës së fazës së katërt ndaj durrsakëve, në “Niko Dovana”. Kërkohen pikët e plota, si e vetmja mënyrë për të mos u zhbilancuar më në raport me kreun, për të vijuar betejën e titullit. Bashkë me Pero Pejiçin nuk shënuan dot ndaj Vllaznisë, ndaj edhe Kukësi nuk shkoi më tej se një barazim i bardhë, çka kushtoi largimin me dy pikë nga kreu i Superiores.
“Prej meje dhe Peros priten gjithmonë golat. Në një ndeshje ku nuk shënohen gola, e gjithë barra na bie ne sulmuesve. Mirëpo, në transfertën durrsake mendoj se do të bëjmë autokritikën e duhur dhe do të zhbllokohemi. Barazimi me Vllazninë, përveç shkëputjes me dy pikë nga kreu, ka ndikuar disi edhe në aspektin psikologjik. Sidoqoftë, jemi profesionistë dhe duhet të përballemi edhe me situata të tilla delikate. Vllaznia iku, me të mirat e të këqijat e saj, kështu që jemi përqendruar maksimalisht te ndeshja e radhës, në Durrës. Me një fitore ndaj Teutës do të kompensonim hapin fals, që bëmë në shtëpi me Vllazninë. Kur luajmë në Durrës e kemi të vështirë, pasi Teuta ka një ekip shumë të mirë”, tha për “Supersport”, Emini.
“Teuta lufton fort dhe ka ambicie për vendin e katërt, duke shpresuar të marrë pjesë në Kupat e Europës. Të gjithë te Kukësi e dimë se duhet ta fitojmë këtë ndeshje, ndaj duhet të japim gjithçka kemi nga vetja jonë. Nuk kemi rrugë tjetër. Nuk e ulim kokën për asnjë moment, edhe pse nuk jemi më në krye. Do të punojmë fort dhe do të rikthehemi aty ku kemi qenë. Shpresoj që në fund të kampionatit të fitojmë titullin kampion. Nuk e mendojmë akoma përplasjen direkte me Partizanin, sepse është herët. Megjithatë, do Zoti të vendoset fati i titullit në atë ndeshje. Të përballemi direkt me të kuqtë në kushte të barabarta dhe të shohim pastaj çfarë mund të ndodhë”, përfundoi futbollisti nga Tetova.