Fitore historike e Ansamblit shqiptar

Shkup, 10 gusht – Fitore historike është vlerësuar pjesëmarrja e Ansamblit Nacional të Këngëve e Valleve Popullore Shqiptare të Maqedonisë në Festivalin e Kulturës dhe Artit në Byjykçykmexhe të Stambollit. Drejtori i këtij Ansambli, Shkodran Tolaj ka thënë para mediave se kurorëzimi me vendin e parë të ANKVPSH-së është i një rëndësie të veçantë, pasi për herë të parë – një Ansambël shqiptar zë vendin e parë në këtë Festival me renome ndërkombëtare, ku së fundmi morën pjesë 25 shtete me mbi 1000 artistë.  “Fillimisht më duhet të cek se festivalet garuese janë jashtëzakonisht të rëndësishme për institucionet e reja të cilat kanë nevojë për të promovuar veten duke përfaqësuar vlerat më kulminante folklorike te kombit. Kështu për një vit ansambli sjell tre çmime ndërkombëtare të para për shtetin e Maqedonisë së Veriut. Në gusht 2021 pjesëmarrja jonë e parë në garë ishte në Veliko Trnovo në Bullgari ku morën çmim të parë! Sivjet në qershor morëm çmim të parë në Budapest- Hungari që shquhet si nga festivalet më serioze të folkloristischere. Dhe ja ku jemi bashkë për të folur për suksesin e radhës atë të 6 gushtit dhe triumfin e madh në Turqi”, tha Tolaj, ndërsa shtoi se pjesëmarrja në Turqi ishte sfidë në vehte!

“Rreth 1000 artistë pjesëmarrës krijuan një garë të fortë në mes 25 shteteve! Pra në këtë garë kanë marrë pjesë shtetet nga më të fuqishmet si Gjeorgjia, Meksika, Argjentina, Polonia, Qipro Veriore, Sllovakia, Jordania e shumë të tjera. Ëndrra për triumf në një festival të tillë të jashtëzakonshëm dhe motoja jonë ‘Shqiptarët po vijnë’ mori kuptim të vërtetë kur në mesin e 25 shteteve, paraqitjet dinjitoze të artistëve tanë̈ nga data 27 korrik deri më 7 gusht, disiplina e punës dhe niveli profesional i programit u vlerësuan nga anëtarët e jurisë, të cilët unanimisht vendosën që çmimi i parë të ndahet për Ansamblin tonë”, tha Tolaj. “Vallja e Rekës”, “Vallja e Prespës”, “Vallja e Karadakut”, “Prej Tetove në Dibër”… janë disa nga pikat që Ansambli shqiptare i prezantoi në këtë Festival. Ndryshe, Festivali i Byjykçekmexhes llogaritet si Eurosongu i valles apo kampioni botëror i vallëzimit ku 8 herë është përzgjedhur si festivali me i mirë në botë. Motoja e Festivalit të sivjetëm – të 23-it me radhë, ishte “Dashuri për njëri-tjetrin, paqe për të gjithë”, ndërsa ka zgjatur dhjetë ditë. (koha.mk)