Shkup, 2 shkurt – Skuadra e Shkupit ka arritur fitoren e dytë nga gjithsejtë tre ndeshjet kontrolluese sa i ka zhvilluar gjatë kësaj faze përgatitore. Djemtë e trajnerit Ardian Nuhiu, të enjten në stadiumin “Biljanini Izvori” me rezultatin 2:0 mundën Makedonija Gj.P. Fitore identike si ajo kundër Novacit, por me autor të ndryshëm të golave. Ndaj “luanëve” golat i shënuan Sedat Berisha dhe Bunjamin Shabani, dy futbollist të cilët në afatin kalimtar të janarit iu bashkuan bardhekaltërve. Ndryshe, trajneri Nuhiu edhe në këtë përballje rast u dha pothuajse të gjithë futbollistëve, duke zbarkuar në fushë me dy formacione. Derisa, ekipi do të vazhdojë qëndrimin në Ohër, ndërsa miqësoren e katërt do ta zhvillojë më pesë shkurt kundër skuadrës nga Bosnia e Hercegovina KF Krupa, skuadër kjo e cila mban pozitën e katërt në Ligën boshnjake. Kujtojmë, Shkupi deri më tani ka zhvilluar tri ndeshje kontrolluese, të parën e luajti në Tetovë ndaj Renovës ku pësoi disfatë 2:0, pastaj në të dytën mundi Novacin 2:0 në Ohër dhe së fundi fitorja e radhës ishte ndaj Makedonja Gj.P. (B.K.)